Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij nuk është pengesë për krijimin e institucioneve të reja, por ka përsëritur se nuk e sheh të nevojshëm një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas refuzimit të ftesës për konsultime politike.
Gjini, në “Debat Plus”, deklaroi se Aleanca e ka bërë të qartë pozicionin e saj dhe nuk kërkon pjesëmarrje në qeveri apo pozita institucionale në këmbim të mbështetjes për formimin e institucioneve, njofton Dukagjini.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e Kurtit ndaj dialogut politik, duke thënë se nuk e konsideron të domosdoshëm një takim të tillë pasi qëndrimet e Aleancës tashmë janë bërë publike.
“Kurti mund të besojë që është i rëndësishëm takimi për të, për mua nuk është i rëndësishëm hiç për shkak se e kam vendosur pozicionin e qartë, nuk jemi pengesë për themelimin e institucioneve të vendit, nuk duam me qenë pjesë e Qeverisë, nuk ua kërkojmë asnjë Ministri as një zëvendëskryeministër, asnjë pozitë nuk ua kërkojmë – krejt cka po kërkon Aleanca është që Kosova të bëhet një vend më i lehtë për të jetu në to pasi njerëzit po e kanë vështirë me jetu sot.
Po më pengon se shumë po fletë në vetën e parë (Kurti), duhet me ardhë me u taku me mu – po ja që unë spo kam nevojë pasi unë i kam nxjerrë kushtet normale të funksionimit të shtetit janë në program të Aleancës.
E di cilat janë debatet dhe bisedat, por po ju garantoj sërish se e djathta e mirë që e përfaqëson Aleanca sot ka me fitu një ditë, e kjo ditë nuk do të jetë e largët, pasi janë të vetmet rrugë që do ta nxjerrin Kosovën nga kjo katrahurë”, u shpreh Gjini.
Sipas Gjinit, gjashtë pikat që Aleanca ka ofruar si bazë për mbështetjen e krijimit të institucioneve janë të arsyeshme dhe lehtësisht të pranueshme. “Nuk është qëllimi i joni me qenë ne shkaktari që me shku në zgjedhje sërish, jemi të gatshëm me i ndihmu Kosovës që me u largu nga ky ngërç që jemi qe dy vite dhe me i kriju institucionet e reja.
Ato që ne i kemi dhënë si ofertë janë seriozisht të lehta me u pranu”, u shpreh Gjini.
