Franca ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15-vjeçare, duke u bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që vendos një ndalim të përgjithshëm për platformat sociale për këtë grupmoshë.
Të dyja dhomat e Parlamentit francez votuan në favor të masës së re, e cila është një nga iniciativat kryesore të presidentit francez Emmanuel Macron gjatë mandatit të tij të dytë. Ligji parasheh gjithashtu ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme.
Macron synon që masa të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ri shkollor në shtator, megjithëse ajo mund të vonohet për shkak të një shqyrtimi të mundshëm nga Këshilli Kushtetues i Francës. Vendimi vjen në kohën kur në shumë vende po rriten shqetësimet për ndikimin e përmbajtjes digjitale në shëndetin mendor dhe zhvillimin e fëmijëve.
Megjithatë, jo të gjithë në Francë e kanë mbështetur këtë qasje. Deputeti socialist Arthur Delaporte ka thënë se alternativa do të ishte kufizimi i veçorive të dëmshme të rrjeteve sociale, në vend të një ndalimi të plotë për të miturit. Edhe vende të tjera evropiane po shqyrtojnë masa të ngjashme.
Greqia, Sllovenia dhe Suedia kanë paralajmëruar kufizime për qasjen e të miturve në rrjetet sociale, ndërsa Spanja po shqyrton ndalimin për fëmijët nën 16 vjeç dhe Austria për ata nën 14 vjeç. Edhe Komisioni Evropian ka bërë thirrje për një qasje graduale, duke propozuar që fëmijët më të vegjël të kenë qasje të kufizuar dhe nën mbikëqyrjen e prindërve, kujdestarëve ose mësuesve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se një propozim i ri për këtë çështje pritet të prezantohet pas verës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
