Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të zhvillojë më zgjedhje, duke mbyllur mundësinë e një gare të ardhshme politike për opozitën. Gjatë një fjalimi në kuadër të përvjetorit të Revolucionit Sandinist të vitit 1979, Ortega tha se zgjedhjet nuk do të lejohen më në mënyrë që opozita të mos mund të marrë pushtetin.
“Le ta harrojnë, këtu nuk do të ketë më zgjedhje që ata të përpiqen të marrin qeverinë dhe pushtetin”, ka deklaruar Ortega, duke iu referuar kundërshtarëve të tij politikë, raporton reuters . Ortega, i cili është në pushtet që nga viti 2007 pas një mandati të mëparshëm në vitet ’80, qeveris së bashku me bashkëshorten e tij Rosario Murillo, e cila mban postin e bashkëpresidentes.
Vendimi i paralajmëruar nga Ortega vjen pas një serie reformash kushtetuese që kanë zgjeruar kompetencat e udhëheqjes së tij dhe kanë forcuar kontrollin mbi institucionet shtetërore. Opozita dhe organizatat ndërkombëtare e kanë akuzuar qeverinë e tij për dobësim të demokracisë dhe shtypje të kundërshtarëve politikë.
Nikaragua është përballur me një krizë të thellë politike që nga protestat e vitit 2018, të cilat u shoqëruan me një valë arrestimesh dhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.
