Finalja e Botërorit mes Spanjës dhe Argjentinës ka ndryshuar ekuilibrat në garën për Topin e Artë. Një edicion që premton të jetë ndër më të paparashikueshmit në histori, me shumë kandidatë dhe pa një fitues të paracaktuar. Përballja më e shumëpritur mes Lionel Messit dhe Lamine Yamal nuk solli verdiktin që shumëkush priste.
Ylli argjentinas u ndal në momentin vendimtar, ndërsa talenti i Barcelonës ngriti trofeun e Kupës së Botës, por pa qenë protagonisti absolut i turneut. Në garë hyjnë fuqishëm edhe emra të tjerë të mëdhenj të futbollit botëror, që kanë fituar trofe ose kanë lënë gjurmë të rëndësishme gjatë sezonit. Erling Haaland mbetet një nga kandidatët kryesorë.
Edhe pse fitoi vetëm një trofe me Manchester Cityn, sulmuesi norvegjez ka regjistruar shifra të jashtëzakonshme, 38 gola me klubin anglez dhe një paraqitje të spikatur në Botëror me Norvegjinë. Statistikat dhe pesha e tij mediatike e mbajnë në garë për çmimin prestigjioz.
Në listën e pretendentëve është edhe Fabian Ruiz, më pak i ekspozuar në qendër të vëmendjes, por vendimtar në fushë pas një sezoni të suksesshëm me PSG-në, ku fitoi kampionatin dhe Champions League, si dhe me kombëtaren. Vëmendje të veçantë ka edhe Rodri, i rikthyer në nivelin më të lartë pas dëmtimit dhe i shpallur lojtari më i mirë i Botërorit.
Ndërkohë, Harry Kane mbylli një sezon të jashtëzakonshëm me Bajern Mynihun, me 61 gola dhe një rol kryesor në rrugëtimin e Anglisë, që përfundoi Botërorin në podium. Edhe Kylian Mbappé nuk zhgënjeu në skenën më të madhe.
Pas një sezoni me ulje-ngritje te Real Madridi, francezi shkëlqeu në Botëror me 10 gola dhe u ngjit në krye të renditjes historike të golashënuesve të turneut, duke kaluar edhe Messin. Megjithatë, mungesa e trofeve gjatë sezonit mund të ndikojë në vlerësimin përfundimtar.
Ndërkohë, Kvaratskhelia vjen pas sukseseve me Paris Saint-Germain, por mungesa e tij në Kupën e Botës mbetet një faktor që mund të peshojë në vendimin final. Një garë pa favorit absolut dhe me shumë yje në betejë
