Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, deklaroi se gjatë këtij muaji në Baku janë takuar ish-zyrtarë të lartë gjermanë dhe rusë për të diskutuar mundësitë e përfundimit të luftës në Ukrainë. “Territori ynë është përdorur për një takim të tillë pa dijeninë tonë. Nuk mund të komentoj detajet, sepse nuk kemi qenë të pranishëm në takim.
Megjithatë, të dhënat e fluturimeve më lejojnë të them se takimi sekret në Baku ka ndodhur me të vërtetë”, tha Aliyev para gazetarëve në Berlin, gjatë një konference të përbashkët për media me kancelarin gjerman Friedrich Merz. “Nëse qëllimi i këtij takimi ka qenë të kontribuojë në përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, këtë mund ta mirëpresim vetëm”, tha Aliyev.
Ai shtoi se takimi është zhvilluar nga 12 deri më 14 korrik. Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se qeveria e tij nuk ka marrë pjesë në organizimin e këtij takimi. “Nuk jam në dijeni për ndonjë takim të tillë”, u përgjigj Merz ndaj pyetjes së gazetarëve.
Sipas raportimeve të mediave, një delegacion jozyrtar gjerman, ku ishin Ronald Pofalla, ish-shefi i kabinetit të ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe Matthias Platzeck, ish-kryeministër i landit Brandenburg, është takuar në kryeqytetin e Azerbajxhanit me disa bashkëpunëtorë të afërt të presidentit rus Vladimir Putin.
Në delegacionin rus, sipas raportimeve, kanë qenë Valery Fadeev, kryetar i Këshillit të Presidentit rus për Shoqërinë Civile dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe Viktor Zubkov, ish-zëvendëskryeministër i Rusisë dhe aktualisht kryetar i bordit drejtues të gjigantit shtetëror energjetik Gazprom.
