Gashi takon përfaqësuesit e UNMIK-ut, paralajmëron konkurs për

0%

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, i shoqëruar nga anëtarët Arlinda Muqa, Visar Krasniqi dhe Milot Krasniqi, priti sot në takim Zëvendëspërfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Milbert Domgjon Shin, i shoqëruar nga përfaqësues të Zyrës së UNMIK-ut.

Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë, me fokus në zhvillimet aktuale në sistemin prokurorial, forcimin e sundimit të ligjit dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë.

Me këtë rast, Kryesuesi Gashi e njoftoi delegacionin e UNMIK-ut me përbërjen e re të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe me përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të sistemit prokurorial.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Duke folur për bashkëpunimin ndërkombëtar, Kryesuesi Gashi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që UNMIK-u ka dhënë ndër vite për Kosovën, e në veçanti për sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar se ky kontribut ka qenë i rëndësishëm në zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të drejtësisë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për angazhimin e vazhdueshëm të Këshillit Prokurorial për garantimin e një sistemi prokurorial gjithëpërfshirës, ku përfaqësimi i drejtë i të gjitha komuniteteve mbetet një ndër prioritetet institucionale.

Në këtë drejtim, Kryesuesi Gashi bëri të ditur se së shpejti do të shpallet konkursi për pranimin e prokurorëve të rinj, me qëllim avancimin e përfaqësimit të tyre të drejtë në sistemin prokurorial të vendit.

Po ashtu, Gashi ritheksoi përkushtimin e Këshillit Prokurorial për përmbushjen e standardeve dhe detyrimeve ndërkombëtare, duke nënvizuar se Kosova ka ndërtuar një kornizë ligjore të avancuar edhe falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë. Këshilli do të vazhdojë të punojë për fuqizimin e mëtejmë të sundimit të ligjit përmes profesionalizmit, integritetit, paanësisë dhe llogaridhënies.

Nga ana e tij, Zëvendëspërfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Milbert Domgjon Shin, vlerësoi punën dhe rolin e Këshillit Prokurorial të Kosovës në garantimin e funksionimit të pavarur dhe efikas të sistemit prokurorial.

Ai theksoi se UNMIK-u e vlerëson angazhimin e Këshillit dhe punën e Prokurorit të Shtetit, duke shprehur besimin se përmes përgjegjësisë institucionale dhe përkushtimit profesional do të vazhdohet me ndërmarrjen e veprimeve që forcojnë sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e UNMIK-ut riafirmuan gatishmërinë e tyre për të vazhduar mbështetjen ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë, me synim avancimin e reformave dhe forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në vend.

Burimi: Bota Sot