Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Me program të larmishëm ndërkombëtar dhe me 11 lokacione të ndryshme ku do të zhvillohen ngjarjet, festivali tashmë është shndërruar në një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore të verës në Kosovë.
Edicioni i pestë vjen me produksione nga vende të ndryshme të botës, me tema që trajtojnë çështje universale e shoqërore, por edhe me ambicien për ta kthyer teatrin në një mjet komunikimi të drejtpërdrejtë me publikun.
Programi do të hapet me shfaqjen “Borderless Body” nga Sllovenia Festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur “Prizren Fest” prej sot (e martë) e deri të hënën e javës që vjen do ta shndërrojë Prizrenin në një skenë të hapur të artit teatror.
Për shtatë ditë me radhë, sheshet, lumi dhe monumentet e qytetit do të frymojnë bashkë me teatrin, muzikën, performanca e diskutime artistike, duke i shtuar edhe më shumë ngjyra atmosferës verore të kryeqytetit historik të Kosovës.
Me program të larmishëm ndërkombëtar dhe me 11 lokacione të ndryshme ku do të zhvillohen ngjarjet, festivali tashmë është shndërruar në një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore të verës në Kosovë.
Edicioni i pestë vjen me produksione nga vende të ndryshme të botës, me tema që trajtojnë çështje universale e shoqërore, por edhe me ambicien për ta kthyer teatrin në një mjet komunikimi të drejtpërdrejtë me publikun.
Drejtori artistik i festivalit, Adrian Morina, ka thënë se puna për programin nis menjëherë pas përfundimit të edicionit paraprak, madje shpeshherë paralelisht me përgatitjet për edicionet e ardhshme. “Për të kuruar një program që kemi sivjet duhet përkushtim, goxha kontakte, hulumtim, për atë se çfarë ndodh me teatrin në Evropë, rajon dhe nëpër botë.
Programin fillojmë ta bëjmë menjëherë sapo të mbyllet një edicion i kaluar, madje nganjëherë punojmë prej para këtij edicioni për edicionin tjetër, sikur që veç kemi filluar punën për edicionin e gjashtë duke përcjellë disa produksione të emrave kulminantë të teatrit në Evropë”, ka thënë Morina.
Ai ka folur edhe për sfidat me të cilat përballet organizimi i festivalit, duke veçuar vështirësitë financiare dhe angazhimin e madh logjistik që kërkojnë produksionet ndërkombëtare. Edhe Kulturë 9 muaj më parë “ReMusica” si reflektim mbi dialogun midis traditës dhe modernitetit “Vështirësitë janë të mëdha, duke nisur nga pjesa financiare, që është pjesa më e dhimbshme.
Fatkeqësisht jo vetëm në fushën e kulturës, por edhe në fusha të tjera, por po ia dalim deri tash”, ka thënë ai. Sipas tij, festivali nuk është vetëm ajo që publiku sheh në skenë, por edhe puna e një numri të madh njerëzish që qëndrojnë prapa saj. Ka theksuar sfidat që ka një shfaqje teatri kur udhëton në një shtet tjetër. E sivjet Festivali pret rreth 300 mysafirë.
“Në skenë, janë ata që publiku i sheh sigurisht, por është edhe një numër i madh i njerëzve që janë prapa skenës. Ekipet e mëdha kërkojnë shumë aranzhime kohore, data, pushime pasi është sezoni i verës, por ne po ia dalim. Këtë vit jemi në pritje të 300 pjesëmarrësve në festival, e kam fjalën për pjesën e artistëve dhe teknikëve që marrin pjesë në festival”, ka thënë Morina.
Një prej pikave kulmore të edicionit të sivjetmë pritet të jetë shfaqja hapëse, një produksion i dans-teatrit nga Sllovenia, e cila do të prezantohet në një skenë të veçantë të ndërtuar mbi platformën e lumit në Prizren.
Platforma, e realizuar për të dytin vit radhazi në bashkëpunim me “DokuFestin”, tashmë po shndërrohet në një prej hapësirave më atraktive të festivaleve kulturore të verës në qytet. “Kam kënaqësinë që këtë edicion të pestë ta hapim me një shfaqje të shkëlqyer të dans-teatrit. Është një shfaqje e cila vitin e kaluar ka hapur ngjarje shumë të mëdha.
Kemi bërë përpjekje shumë të mëdha për ta sjellë. Është një shfaqje e madhe me shumë aktorë, me 14 performues, me dy muzikantë live e cila do të na japë një magji teatrore në natën hapëse”, ka thënë Morina. Sipas tij, zgjedhja e lokacioneve është po aq e rëndësishme sa edhe përzgjedhja e vetë shfaqjeve. “Këtë vit kemi 11 lokacione të ndryshme ku kemi shfaqje.
Prej dëshirës së madhe që produktet apo shfaqjet që sjellim para publikut, të gjejnë hapësirën sa më të mirë të mundshme, ne provojmë të gjejmë edhe lokacione të përshtatshme dhe pastaj të ndërtojmë teknikë për prezantim sa më të mirë të tyre.
Përgjatë kësaj jave, është njëfarë çmendurie artistike, por ekipi me të cilin punojmë, që është numër shumë i vogël, janë pasionantë të mëdhenj, njerëz të fushës së teatrit, të cilët vërtet e bëjnë me qejf këtë punë”, ka thënë ai.
Edicioni i pestë i festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur “Prizren Fest” do të mbahet prej 21 deri më 27 korrik, duke sjellë në Prizren një program të pasur me shfaqje teatrore, performanca muzikore, teatër fizik, komedi dhe punëtori artistike nga vende të ndryshme të botës.
Me moton e tij për ta shndërruar qytetin në një skenë të hapur, festivali do të shfrytëzojë hapësirat historike dhe kulturore të Prizrenit për të ofruar një përvojë unike artistike për publikun. Programi do të hapet më 21 korrik me shfaqjen “Borderless Body” nga Sllovenia.
Shkaku i kushteve meteorologjike organizatorët kanë vendosur që nata hapëse e festivalit të mbahet në ambientet e teatrit “Bekim Fehmiu”. Një ditë më vonë, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqjen “Darkness Picnic” nga Italia në Amfiteatrin dhe Parkun e Universitetit Publik “Ukshin Hoti”, ndërsa në mbrëmje do të prezantohet shfaqja franceze “Souvenirs” në “Teatrin mbi lum”.
Më 23 korrik, “Shadërvani” do të shndërrohet në skenë për shfaqjen “Mission Roosevelt” nga Franca, ndërsa në Teatrin e Hapur të Autostrada Biennale do të ngjitet “Lysistrata” nga Turqia, një produksion i rekomanduar për publikun mbi moshën 16 vjeç.
Edhe EXPRESS 10 muaj më parë “PriFest” me program të pasur për edicionin e 17-të, sonte në emisionin “Express” Programi i 24 korrikut sjell shfaqjen “Babai” nga Maqedonia e Veriut në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”, ndërsa më vonë ansambli vokal “Zanat Vocal Ensemble” nga Kosova, i shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha, do të performojë në hapësirën e Lidhjes së Prizrenit.
Më 25 korrik, festivali vazhdon me shfaqjen “A Scream in the Dark” nga Brazili, e cila do të luhet në ambientet e Burgut të Qytetit të Prizrenit, duke dëshmuar qasjen kreative të festivalit në përdorimin e hapësirave të ndryshme. Po atë mbrëmje, në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”, do të prezantohet shfaqja vendore “Pylli”.
Për shfaqjen nga Brazili, Morina, aktor dhe njëherësh drejtor artistik i “Prizren Fest”, ka thënë se kësisoj kjo ngjarje i kontribuon edhe diplomacisë kulturore përmes artit. E shfaqja nga Brazili trajton rrëfimet e grave të dhunuara gjatë regjimit ushtarak në atë vend, një histori në të cilën e gjen veten edhe Kosova.
“Provojmë të sjellim edhe trupa teatrore duke dashur të bëjmë edhe njëfarë diplomacie kulturore, sigurisht e kemi mision edhe këtë punë. Në këtë kuptim, këtë vit kemi një shfaqje nga Brazili.
E veçanta e kësaj shfaqjeje është sepse flet për katër rrëfime të grave që janë përdhunuar gjatë kohës së regjimit në Brazil përgjatë viteve ’70 dhe ’80. ‘Britmë në errësirë’ është emri i shfaqjes dhe ne që e kemi jetuar atë periudhë, kemi një numër shumë të madh grash që janë maltretuar, burgosur e përdhunuar, për të cilat nuk ka drejtësi të thirrur në vend”, ka thënë Morina.
Më 26 korrik, publiku do të ketë mundësi të zgjedhë ndërmjet tri ngjarjeve artistike. Shfaqja “Mall / Longing”, një bashkëprodhim Francë-Shqipëri, do të prezantohet në katedralen “Zoja Ndihmëtare”, ndërsa programi i komedisë stand-up nga Kosova do të mbahet në ambientet e një qendre tregtare.
Po atë mbrëmje, në Lidhjen e Prizrenit do të luhet shfaqja “Última Planta” nga Spanja, e rekomanduar për publikun mbi moshën 16 vjeç. Edicioni i sivjetmë do të mbyllet më 27 korrik me performancën “The Body Symphonic”, një bashkëprodhim artistik ndërmjet Kanadasë dhe Holandës, e cila do të prezantohet në pranë xhamisë “Sinan Pasha”.
Përveç programit artistik, “Prizren Fest” do të organizojë edhe punëtorinë dyditore “The Guhelli Technique – Emotional Core Acting”, e cila do të mbahet më 23 dhe 24 korrik në teatrin e qytetit “Bekim Fehmiu”. Punëtoria do të zhvillohet nga ora deri në dhe synon të ofrojë trajnim profesional në teknikën e aktrimit të bazuar në bërthamën emocionale të personazhit.
Përtej spektaklit artistik, festivali synon të jetë edhe një platformë reflektimi shoqëror. Morina ka theksuar se programi i “Prizren Fest” ndërtohet duke pasur parasysh raportin e teatrit me publikun dhe temat që prekin drejtpërdrejt shoqërinë. “Përpiqemi të sjellim shfaqje edhe për grupe të caktuara, për grupe të targetuara të shoqërisë.
Unë gjithmonë them se teatri i cili nuk u flet publikut, njerëzve, nuk është më teatër. Andaj, përpiqemi të sjellim shfaqje që vërtet flasin te publiku drejtpërdrejt, temat të cilat ne i përzgjedhim e që janë shumë të rëndësishme”, ka thënë ai.
Edhe Kulturë 11 muaj më parë “Prizren Festi” lë jehonën se arti s’është neutral përballë padrejtësisë Edicioni i sivjetmë vjen pas suksesit të festivalit vitin e kaluar, kur “Prizren Fest” shënoi një hap të rëndësishëm në konsolidimin e identitetit të tij ndërkombëtar.
Edicioni i katërt mblodhi artistë nga vende të ndryshme të Evropës dhe rajonit, ndërsa publiku pati mundësi të ndjekë dhjetëra shfaqje teatrore, performanca dhe aktivitete të tjera artistike të shpërndara në hapësirat karakteristike të Prizrenit. Për herë të parë atëherë u shfrytëzua edhe platforma mbi lumin “Lumbardh”, e cila u mirëprit si hapësirë unike për artin skenik.
Në vetëm pesë vjet, “Prizren Fest” ka arritur të krijojë identitet të veçantë duke e nxjerrë teatrin nga sallat tradicionale dhe duke e vendosur atë në dialog të drejtpërdrejtë me qytetin. Në mbrëmjet e festivalit, kalldrëmet e Prizrenit bëhen skenë, ndërsa publiku lëviz prej një lokacioni në tjetrin.
