Bardhi fliste rrallë me të birin e hasretit. Herë pas here i tregonte ndonjë anekdotë interesante. I tregoi një ditë se si një fshatar kishte lëshuar nusen pse nuk arrinte ta lante leshin që i binte hise në familje.
Nuk e di kush dhe pse, por Galani, që ishte akoma adoleshent, i kishte thënë të atit si për mahi; ‘”nusja nuk lëshohet për lesh, o baba”!- Sa rritej djali, babai e ngacmonte me ndonjë fjalë të re me tertip. Me lesh të marton baba ty, i thoshte shumë herë Galanit! Bardhi akoma nuk kishte harruar kohën kur ishte martuar vetë, dhe gjithë pajën nusja e tij e kishte punuar nga leshi i deleve.
Galani, djalë i ri, beqar, i rritur në bjeshkë, i zhvilluar si dragua, mendonte, se si mundet burri me marr nuse vetëm me lesh? Kur u rritë Galani, iu bë krah i fortë të atit në çdo punë. Ashtu sikur i ati, ai mësoi shpejt qethjen dhe mjeljen e deleve që nuk ishin punë aq e lehta. Derisa qethja kryhej për pak ditë, mjelja e deleve zgjaste me muaj.
E shoqja e Bardhit kishte kohë që po e ngacmonte të shoqin për të gjetur nuse për djalin. Lodronte Bardhi mendjen shtëpi për shtëpi nëpër fshatra, se ku do ta pikaste një vajzë për djalin e vetëm. Nuk kalonte natë që e shoqja të mos ia trazonte kokën për renë që ëndërronte. Vetëm një djalë kam, thoshte Bardhi. Më duhet krah pune edhe në bjeshkë edhe në rrafsh.
Pikërisht kur Galani mbushi njëzet vjet erdhi edhe fjala e nuses. Kishte kohë që vetë Galani po kujdesej për gjithë kopenë e deleve, ndërsa i ati merrej vetëm me punët e rrafshit. Mesiti që solli fjalën kishte thënë vetëm fjalë të mira për mikun. Bardhit, as që i shkoi mendja të pyeste për fis e për farë të mikut të ri.
Ditën e gëzimit askush nuk e tjerri fare biografinë e mikut dhe të vajzës. Kishte menduar ditë e natë e shoqja e Bardhit se tash është radha të shkonte të miku. Nuk munguan as dhuratat e zakonshme për çdo anëtar të familjes së mikut. Nuk mungoi as muhabeti i mirë për mikun në shtëpinë e vajzës. Bardhi po priste ndonjë dhuratë, por atij ja kishin dorëzuar një letër pa zarf.
Pasi nuk dinte të lexonte, letrën e nxori nga xhepi vetëm kur u kthye në shtëpi. As që dinte të lexonte Bardh Zeza. Akoma në zemrën e tij kishte gëzim për fejesën e djalit. Në shtëpi, e shoqja i bëri një mori pyetjesh për mikun, adetet e tij, muhabetin e pritjen. Gjithçka ishte mirë- kishte folur Bardhi, gati duke harruar letrën që i kishin dhënë kur e kishin përcjellë.
Letrën e mori në dorë e shoqja e Bardhit. Ajo kishte mbaruar dikur shkollën tetëvjeçare dhe dinte të lexonte mirë. E lexoi në heshtje. Sa fjali që lexonte, i ndryshonte teni i fytyrës. Nuk e trazoi Bardhin për ti treguar se çka shkruante miku në letër deri sa shkuan për të fjetur, në mënyrë që të mos kuptonte djali asgjë, sa është zgjuar.
Bardhi ishte shtri në shtrat kur hyri e shoqja me letër në dorë. Ajo filloi të lexonte me zë: – Çika është e rritur. Nuk ka nevojë të na sillni lesh fare, siç ka qenë zakoni. Herën tjetër kur vjen, merre djalin me vete, pasi vajza dëshiron ta shoh burrin pa u martuar. Nuk duhet të vonoheni shumë kohë për të bërë dasmën.
Për ta marrë nusen duhet të blini këto gjera që kemi shkruar në letër: Vellon për nuse. Pesë veshje të plota me dimi. Dy veshje të plota me fustan për shtëpi. Pesë veshje me fustan për rrugë. Një veshje të plotë kombëtare, model të Dukagjinit. 15 lira ari. Dy qafore ari. Tri parë vathë. Tetë unaza për duar të cilat do ti zgjedh vetë vajza. Dy qilima, dy jorganë, pesë batanije.
Dhomën e mobiluar. Gjatë gjithë kohës së blerjes se çejzit, vajza me nënën e saj, do të vij me ju për të parë e provuar çdo gjë që blini. B ardhi dukej sikur nuk kuptoi fare çka po lexonte e shoqja. – Nuk qenka letra e gjatë!- foli Bardhi përgjumshëm. – Ti o njeri, a di sa kushtojnë këto tesha që duhet me i ble?
Këto që kanë shkruar janë hata që nuk e mbulojmë dot edhe po ta shesim krejt pasurinë që kemi. – Ndoshta e lehtësojnë pak!- foli serish Bardhi. – Pa blerë asgjë, ti duhet të shkosh të miku e ti thuash se këto gjera që keni shkruar nuk i blej dot edhe po ta shes gjithë gjen e gjallë që kam. Nëse mund të na jepni çikën me pak tesha dhe jo më shumë se një lirë ari, do të blejmë diçka.
Nëse nuk lehtësoni punën na duhet të mendojmë për pishman të kësaj fejese, foli e shoqja. Kur e përmendi e shoqja fjalën pishman, Bardhit i shkoi mendja të djali që ishte gëzua aq shumë për fejesën, e tash ti tregojmë për pishman, kjo nuk bëhet kurrë, mendonte Bardhi. Kësaj pune duhet ti gjendet halli me gajret. Shohim e bëjmë!- i tha të shoqes, dhe u shtri mirë për të fjetur.
Gjumi nuk po e merrte fare. – Si e kanë shkruar ketë letër për të ma dhënë mua në vizitën e parë? Mendoja se vetëm me lesh do t’ia bëja çarën krejt çejzit. S’qenka punë leshi këtu. Ka kohë për të menduar më hollë. Si t’ia shpjegoj tash djalit këtë punë? Ai nuk e kupton sa gjera duhet blerë, pse duhet blerë, e sa kushtojnë ato.
Asnjëherë atij nuk i kam folur për martesë, aq më pak sa kushton çejzi? Zot bane hair! Djali, të nesërmen i pa prindërit të ngrysur më tepër se zakonisht. I pa ashtu të ngrysur siç nuk i kishte parë kurrë. Deri në atë mëngjes të gjithë ishin zgjuar të gëzuar e të qeshur. Nuk u durua pa pyetur se çka ndodhur? – Baba! Çka je mërrolë? Bardhi nuk foli! Pastaj pyeti të ëmën! – Nënë!
Çka ka babi që rri ashtu mërzitshëm? – Tash të tregon nëna!- foli e ëma e Galanit. Ti biro kë zënë nuse! U trashëgofshi me shëndet, por martesa ka punë. Babi ishte dje të miku dhe ata me të parën ia kishin shti në xhep një letër. Ajo letër kushton me shumë se krejt çka kemi të gjallë. Por ka kohë e ndoshta bëhet mirë. – Oj nanë!
Unë e kuptova vetëm atë kërkesën që kishin shkruar në fillim të letrës. Thuaj babit të mos vonohet shumë ditë e të shkojmë bashkë të miku. Edhe unë kam dëshirë të shoh se çfarë vajze do të marr nuse. – Po ti o djali jem, nuk ke qenë kurrë në shehër. Ato vajzat e shehrit jenë sherr e të mashtrojnë sa hora.
Ndoshta është ma mirë që baba të shkojë edhe një herë e të kërkojë që të lehtësohen kërkesat e mikut. – Oj nanë! Thuaj Babit që mos të vonohet. Dua të shoh shehrin e nusen që kam zënë. Pa kaluar shumë ditë, Bardhi me të birin veshën teshat e reja që kishin dhe morën rrugën. Bardhi sa nuk mori edhe koburen. Dy orë rrugë i kaluan pa diktuar.
Dy baballarët miq, kishin vendosur të ulen diku për kafe e muhabet, ndërsa vajza do të shëtiste paksa me djalin për ta njohur nga afër. – Dalim të gjithë pak në qytet dhe pas nesh vjen edhe vajza tha i ati i nuses. Pa arritur porosia me kafe, arriti pas tyre edhe vajza. Bardhi e Galani nuk e kishin pa më parë atë vajzë..
Foli i ati i vajzës e cila akoma po rrinte në këmbë, fare pranë tavolinës. – Kjo është vajza ime! Edhe djali mund të dali me te. Ata mund të flasin më lirshëm gjatë shëtisë. Bardhi mbeti pa fjalë. Akoma ndjente frikë për djalin se mund të gabonte ndonjë fjalë apo të sillej keq, gjithnjë duke menduar se çika është e shehrit dhe është më sherre.
I biri i Bardhit, Galani u ngrit në këmbë, pa ardhur kafeja e porositur dhe mësyu derën. Vajza e ndoqi në hap. Sapo dolën jashtë, vajza fill e rroku me të dy duart për krahu, sikur ta kishte njohur shumë kohë përpara. – Si e ke emrin? nxori fjalën vajza. – Galan! – u përgjigj djali. – Po ti si e ke emrin? – Galë!- foli vajza. – Sikur të kishim lindur për njeri tjetrin, foli Galani.
Edhe emrat i paskemi të ngjashëm. – Vazhduan të ecin bashkë. Sa hap që bënin filluan të afrohen më tepër mes veti. Pas dhjetëra hapash, vajza tërhoqi djalin nga rruga kryesore drejt parkut të qytetit. Dy të rinj nuk po flisnin shumë, por sa hap që bënin po shndërroheshin në një. Prindërit që kishin mbetur në kafe i harruan.
Ata mund të pinin edhe nga tri kafe, por vajza e djali nuk po ktheheshin aty ku ishin ndarë nga prindërit. Dy miqtë, pasi kishin pritur gjatë në kafe, kishin ngritur edhe nga një gotë raki për gëzim, pastaj ishin ndarë, për tu kthyer në shtëpitë e tyre.
Babai i vajzës nuk e kishte dertin e çikës a do të vonohet, por Bardh Zeza, ndjente frikë se djali mund të humbet diku në qytetet e nuk di të sillet me vajzën. Dy të rinjtë ishin bërë një në një skaj të parkut. Për habi, vajza nuk kishte përmendur me asnjë fjalë letrën e cila kishte tronditur prindërit e Galanit. Në anën tjetër Galani nuk e kishte harruar letrën.
Ai e kishte veçuar sidomos atë kërkesën e parë. Sa duket, ai e kishte kuptuar saktësisht porosinë. Pasi kaluan çaste të flakta, mbrëmja ishte afruar. Galani po mendonte seriozisht që qysh sot do të shkonte me nuse në shtëpi. – Shkojmë sonte në shtëpinë time?!- kishte folur Galani. – Ku të duash ti!- kishte folur vajza, pa ngurruar fare, duke ja shtrënguar dorën Galanit.
Bardhi ishte vonuar, i brengur ç’u bë me djalin, derisa Galani kishte arritur para tij bashkë me nuse. Për ta befasuar të atin e kishte këshilluar të ëmën që mos ti tregonte. Kur arriti Bardhi e shikoi shtrembër të birin pse u vonua aq shumë në qytet. – E more baba, je bërë fort merak për atë letrën që ta kishte dhënë dhuratë ai miku! – Ajo vajza sonte erdhi me mua, pa letër fare.
Shko në dhomën time dhe do të bindesh. Bardhit gati i ra pika. – Kjo është tradhti!- foli me rrëmbim Bardhi. – Miku ta solli vajzën në besë për ta parë ju njeri tjetrin, e jo për ta marr sonte nuse. – Baba! Letrës i rashë shkurt. Nuk lëshohet nusja për një letër në të cilën njerëzit që nuk kanë kurrfarë halli mund të shkruajnë çka të ju teket.
Madje kishin menduar edhe çfarë mund të blejmë me lesh, me gjithë ata qengja e ato dele me të cilat jetojmë ditë e natë, dhe blejmë çka do që na nevojitet. – Nusja për lesh nuk lëshohet, o baba.! Ashtu, mendoja se leshi nuk na del me i plotësua dëshirat e sëmura të kohës. – Po çka do ti themi mikut, o bir? – Ajo nusja do ti përgjigjet babait të saj.
Ajo nuk donte lesh e lira, por burrë dhe zgjodhi të vjen me mua sonte.
