Kushtetuta është kontrata themelore ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Ajo nuk ekziston vetëm për të kufizuar pushtetin, por mbi të gjitha për të garantuar funksionimin e tij. Legjitimiteti i një kushtetute nuk matet vetëm me cilësinë e normave që përmban, por me aftësinë e saj për të prodhuar institucione funksionale, stabilitet demokratik dhe siguri juridike.
Kur një kushtetutë vazhdon të jetë formalisht në fuqi, por mekanizmat e saj nuk arrijnë më të prodhojnë qeverisje efektive, doktrina bashkëkohore e së drejtës kushtetuese flet për një fenomen të njohur si constitutional freeze – ngrirje funksionale e rendit kushtetues.
Nuk është fjala për pezullimin e Kushtetutës, por për pamundësinë e saj për ta nxjerrë shtetin nga një krizë e përsëritur institucionale. Kosova po shfaq gjithnjë e më shumë tiparet e kësaj gjendjeje. Ngërçi institucional nuk është më një krizë kalimtare politike; ai po shndërrohet në një model të përsëritur të funksionimit të sistemit.
Pas çdo procesi zgjedhor, vendi përballet me të njëjtën dilemë: qytetarët votojnë, por institucionet nuk arrijnë të konstituohen brenda një afati të arsyeshëm. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e aktorëve politikë; është sinjal se sistemi kushtetues nuk po arrin të përmbushë një nga funksionet e tij themelore – sigurimin e vazhdimësisë së pushtetit demokratik.
Në teorinë moderne kushtetuese kjo lidhet edhe me konceptin e “constitutional hardball”(Tushnet e përshkruan atë si: Përdorimin maksimal, agresiv dhe oportunist të kompetencave kushtetuese ose procedurale për të arritur objektiva politike, duke respektuar tekstin e Kushtetutës, por duke cenuar normat e pashkruara mbi të cilat mbështetet demokracia. Pra, nuk është veprim antikushtetues.
Është kushtetues në formë, por mund të jetë antidemokratik në efekt), të zhvilluar nga profesori Mark Tushnet, sipas të cilit dispozitat kushtetuese përdoren deri në kufijtë maksimalë për të fituar avantazh politik, pa shkelur domosdoshmërisht tekstin e Kushtetutës, por duke cenuar funksionin e saj.
Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt kanë argumentuar se demokracitë moderne rrallë shemben përmes grushteve të shtetit; ato dobësohen gradualisht kur bllokimi institucional dhe polarizimi zëvendësojnë kulturën e përgjegjësisë demokratike. Kosova rrezikon pikërisht këtë proces. Nëse zgjedhjet përsëriten pa adresuar shkaqet kushtetuese të bllokimit, rezultati mund të jetë i njëjtë.
Sot mund të bllokojë opozita, nesër shumica e djeshme. Kjo tregon se problemi nuk lidhet me identitetin e partive politike, por me faktin se sistemi ua mundëson të gjithëve ta përdorin të njëjtin mekanizëm për të paralizuar shtetin. Në një republikë parlamentare, opozita është element i domosdoshëm i demokracisë.
Ajo ka të drejtë të kundërshtojë qeverinë, por nuk mund të ketë të drejtën të bllokojë pafundësisht krijimin e institucioneve. Po aq e papranueshme do të ishte që një shumicë parlamentare të përjashtonte opozitën nga kontrolli demokratik. Kushtetuta duhet të ruajë ekuilibrin ndërmjet këtyre dy parimeve.
Në praktikën kosovare është krijuar një nyje kushtetuese ku procedurat për konstituimin e Kuvendit, kuorumi dhe zgjedhja e Presidentit mund të shndërrohen në instrumente të bllokimit politik. Kur këto mekanizma nuk garantojnë më funksionalitetin institucional, por prodhojnë paralizë të përsëritur, lind detyrimi për një rishikim serioz të tyre. Ky nuk është argument kundër Kushtetutës.
Përkundrazi. Është argument në mbrojtje të saj. Asnjë kushtetutë demokratike nuk është e pandryshueshme. Historia kushtetuese e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë dhe shumë demokracive evropiane dëshmon se reformat kushtetuese janë pjesë normale e evolucionit demokratik.
Edhe Komisioni i Venecias ka theksuar vazhdimisht se stabiliteti kushtetues nuk nënkupton ngurtësi, por aftësi për t’u përshtatur pa cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës. Në Kosovë, megjithatë, ekziston një paradoks i rëndësishëm demokratik. Qytetarët nuk disponojnë një mekanizëm të drejtpërdrejtë për të iniciuar ndryshime kushtetuese përmes peticionit ose referendumit.
Ndryshimi i Kushtetutës mbetet pothuajse tërësisht në duart e institucioneve politike, të cilat shpesh janë vetë pjesë e krizës që duhet zgjidhur. Kjo kufizon aftësinë e sovranit për të kërkuar reforma kur sistemi nuk prodhon më funksionalitet. Për këtë arsye, Kosovës i nevojitet një debat kombëtar, institucional dhe akademik për reformën kushtetuese.
Ky debat nuk duhet të udhëhiqet nga interesat e një shumice apo të një opozite, por nga interesi afatgjatë i Republikës.
Një reformë e tillë duhet të shqyrtojë me seriozitet: mekanizmat e konstituimit të Kuvendit; përdorimin e kuorumit në mënyrë që ai të mos shndërrohet në instrument të bllokimit të pafund; procedurat për zgjedhjen e Presidentit, duke ruajtur legjitimitetin demokratik, por duke eliminuar mundësinë e paralizës institucional; dhe mundësinë e krijimit të instrumenteve të demokracisë së drejtpërdrejtë, si iniciativa qytetare për reforma kushtetuese ose referendumi kushtetues, me garanci të forta juridike.
Këto nuk janë ide radikale. Janë mekanizma që ekzistojnë në forma të ndryshme në shumë demokraci kushtetuese. Në një kohë kur rendi ndërkombëtar po ndryshon me shpejtësi, kur siguria evropiane po rikonfigurohet dhe konkurrenca gjeopolitike po intensifikohet, Kosova nuk mund të mbetet peng i krizave të saj procedurale.
Një shtet që nuk është në gjendje të krijojë me kohë institucionet e veta dobëson pozitën ndërkombëtare, pengon zhvillimin ekonomik, ul besimin e qytetarëve dhe rrezikon të normalizojë mosfunksionimin si mënyrë qeverisjeje. Demokracia nuk matet vetëm nga e drejta për të votuar. Demokracia matet edhe nga aftësia e sistemit për ta shndërruar votën në institucione funksionale.
Prandaj, pyetja themelore nuk është nëse duhet të ndryshohet Kushtetuta. Pyetja është shumë më e thellë: a mund të konsiderohet plotësisht funksionale një kushtetutë që lejon përsëritjen e pafund të të njëjtit ngërç institucional? Nëse përgjigjja është jo, atëherë reforma kushtetuese nuk është cenim i rendit kushtetues.
Është akti më i lartë i përgjegjësisë demokratike ndaj Republikës dhe qytetarëve të saj. Vetëm një kushtetutë që garanton njëkohësisht lirinë, kontrollin demokratik dhe funksionalitetin institucional mund të mbetet themeli i një shteti modern, evropian dhe të qëndrueshëm.
