Gjashtëdhjetë e pesë fermerë nga Komuna e Pejës kanë përfituar traktorë të rinj në kuadër të programit komunal për mbështetjen e bujqësisë. Mekanizmi bujqësor është siguruar përmes një skeme bashkëfinancimi, ku komuna mbulon 60 për qind të vlerës, ndërsa fermerët kontribuojnë me 40 për qind.
Përfituesit janë përzgjedhur përmes thirrjes publike të shpallur nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, e cila kishte paraparë furnizimin e fermerëve me 65 traktorë për të mbështetur modernizimin e mekanizimit bujqësor dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në zonat rurale.
Njëri nga fermerët përfitues, Mustaf Gashi, tha se traktori i ri do të përdoret menjëherë në punët e përditshme të fermës, duke theksuar se mungesa e fuqisë punëtore e bën mekanizimin të domosdoshëm. “Do të fillojmë me punë menjëherë..jemi fermerë. Unë kam pemishtë, po kam edhe një shtallë minifermë të lopëve, kështu që për të gjitha punët, për lavër, për nevojat e shtëpisë.
Fushë që duhet me lëvru, me kositë,… e lehtëson punën… tash punë krahu s’ke mundësi më me punu, se s’kemi klasë punëtore, kështu që tash makineria i kryen të gjitha punët”, u shpreh ai.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se projekti është realizuar përmes një tenderi të hapur dhe se janë përzgjedhur traktorë që u përgjigjen nevojave të fermerëve me ekonomi të mesme bujqësore.
“60% financon komuna, 40% fermeri, ka qenë tender i hapur, kemi kërku karakteristikat e traktorave që ju përshtaten bujqve të mesëm kryesisht, po fillojmë shpërndarjen sot për 65 përfituesit e parë, besoj që të tjerët që nuk janë përfshi në listë, kanë me qenë në listën e vitit të ardhshëm, domethënë janë edhe 100 që shpërndahen vitin tjetër….”, deklaroi Muhaxheri.
Sipas tij, përveç mbështetjes financiare, rëndësi i është kushtuar edhe cilësisë së mekanizmit të furnizuar. “Besoj që kanë me qenë të kënaqun, këtu janë edhe kompania, e dinë që nëse nuk i bien të mira, herën tjetër nuk ka me qenë përfituese e konkursit që mundet me qenë për me furnizu fermerët me traktorë të 42 deri 45 kuaj fuqi që ju shërbejnë mjaft mirë për me realizu një gamë të gjerë të punëve që nevojiten në bujqësi”, tha ai.
Programi synon të modernizojë mekanizimin bujqësor, të rrisë produktivitetin në sektorin e bujqësisë dhe të lehtësojë punën e fermerëve, në një kohë kur mungesa e fuqisë punëtore po paraqet sfidë gjithnjë e më të madhe për ekonomitë bujqësore.
Komuna e Pejës ka bërë të ditur se mbështetja për fermerët do të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme të programit, me synimin që numri i përfituesve të zgjerohet gjatë vitit të ardhshëm.
