Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë apel urgjent për të gjithë fermerët që merren me mbarështimin e derrave që të rrisin masat e biosigurisë, pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vendet e rajonit.
Sipas AUV-së, në Kosovë deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i Mortajës Afrikane të Derrave (ASF), por rreziku i përhapjes së kësaj sëmundjeje mbetet i lartë për shkak të rasteve të konfirmuara në shtetet përreth.
Fermerëve u është kërkuar që të zbatojnë me përpikëri masat parandaluese, përfshirë kontrollin e hyrje-daljeve në fermë, blerjen e kafshëve vetëm nga ferma të regjistruara dhe të pajisura me dokumentacion veterinar, si dhe shmangien e përdorimit të mbetjeve ushqimore për ushqimin e derrave.
AUV ka bërë thirrje që çdo rast i ngordhjes së papritur të derrave, temperaturës së lartë, mungesës së oreksit, dobësisë apo shenjave të tjera të pazakonshme të raportohet menjëherë te veterineri ose zyrat rajonale të Agjencisë.
Mortaja Afrikane e Derrave nuk paraqet rrezik për njerëzit dhe nuk transmetohet te konsumatorët, por është një sëmundje shumë ngjitëse për derrat dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike në sektorin e blegtorisë. AUV ka bërë të ditur se po monitoron vazhdimisht situatën dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në vend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
