Misioni faktmbledhës i platformës së Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve ka lansuar raportin “Rikthimi i lirisë së medias pas rënies”.
Nivele të ulëta të dhunës fizike ndaj gazetarëve, financimi i pamjaftueshëm dhe presionet ndaj Radio Televizionit të Kosovës, miratimi i ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave që më pas u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, janë disa nga gjetjet kryesore të raportit të këtij misioni.
Flutura Kusari nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias e cila prezantoi gjetjet e raportit, tha se ka shtim të sulmeve verbale dhe denigrim të gazetarëve nga politikanë të partisë në pushtet.
“Si rezultat, nga një nivel i qëndrueshëm i lirisë së mediave në një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian, vendi ka kaluar në një periudhë përkeqësimi gjatë tri viteve të fundit, e nxitur kryesisht nga faktorë politik.”- thuhet ndër të tjera në raport.
Shqetësim kyç, ky raport sheh edhe çështjet e pazgjidhura sa i përket financimit dhe pavarësisë së transmetuesit publik (RTK) dhe ligjit të kontestuar për KPM-në. “Delegacioni vlerëson se ndryshimi legjislativ për KPM-në do të kishte mundësuar kapjen e mundshme politike të rregullatorit të mediave në Kosovë.”- thotë raporti.
Mary-Ann Hennessey nga zyra e Këshillit të Europës tha se në Kosovë ka pasur rritje të sulmeve ndaj gazetarëve dhe presionit politik. “Liria e mediave dhe siguria e gazetarëve janë shtylla standarde të Këshillit të Europës. Ka pasur ngecje të mediave në Kosovë duke pas parasysh presionin politik të mediave.
Liria e mediave është themeli i diskursit demokratik dhe parakusht për integrim të mëtutjeshëm në institucionet e BE-së.”- tha ajo. Bouglsaw Gertruda nga Zyra e Bashkimit Europian, tha se zyrtarët publik e politikë duhet të tërhiqen nga gjuha ofenduese ndaj gazetarëve. “Liria e mediave dhe siguria e gazetarëve mbeten fundamentale dhe janë kruciale për një demokraci vibrante.
Krijimi i një mjedisi të pavarur fillon ndër të tjera me zyrtarët publik që kanë përgjegjësi për të nxitur një klimë apo ambient të sigurt për gazetarët. Kjo do të thotë tërheqjen nga gjuha ofenduese dhe ngacmimet. Është shumë me rendësi të kemi një transmetues publik të pavarur. Ligji për RTK duhet të krijoj një model të veçantë të financimit.
Draft ligji për KPM-në duhet të duhet të zhvillohet ne konsultime me shoqërine civile dhe me partnerët ndërkombëtarë.”- tha ajo. Agron Maxhuni nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tregoi për hapat që ky institucion ka ndjekur sa i përket rasteve me gazetarë. “Kemi arritur që në bashkëpunim me akterë të ndryshëm të kategorizojnë lëndët me prioritet që lidhen me media në Kosovë.
Ne kemi trajnime programe që kanë të bëjmë me lirinë e mediave dhe padive për shpifje.”- tha ai. Më 24 dhe , organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve dhe organizata të tjera kanë zhvilluar një mision faktmbledhës dyditor në Prishtinë, Kosovë.
Qëllimi i misionit ishte të adresojë sfidat ndaj lirisë së medias në vend dhe të diskutojë zgjidhjet e mundshme me akterët e medias dhe me autoritete. Nga ky mision kanë bërë te ditur se kanë marrë pjesë 8 organizata dhe janë takuar me rreth 90 persona.
