Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blenxi Gonxhja, ka bërë të ditur se qeveria ka refuzuar mundësinë e organizimit të një koncerti të Jennifer Lopez në vend, për shkak të kërkesave financiare të artistes.
Gjatë një diskutimi në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Gonxhja deklaroi se këngëtarja kishte kërkuar një garanci prej 2 milionë eurosh, në rast se do të kishte protesta apo probleme gjatë organizimit të eventit. “Kemi refuzuar JLo, sepse kërkonte 2 milionë euro garanci nëse do të kishte protesta. Ne nuk e pranuam këtë kërkesë”, tha ministri.
Deklarata u bë gjatë shqyrtimit të Aktit Normativ të Qeverisë për financimin prej 4.2 milionë eurosh për organizimin e koncertit të Kanye West në Shqipëri. Gonxhja mbrojti vendimin për mbështetjen financiare të këtij eventi, duke deklaruar se sipas vlerësimeve paraprake, të ardhurat e kthyeshme për shtetin nga organizimi i koncertit kanë arritur të paktën në 6.5 milionë euro.
Vendimi për financimin e eventeve të mëdha muzikore ka nxitur debat në Shqipëri, ndërsa qeveria ka argumentuar se aktivitete të tilla ndikojnë në turizëm dhe promovimin ndërkombëtar të vendit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
