“Revolucioni i flamingove”, lëvizja qytetare që nisi kundër projekteve turistike në Zvërnec dhe që tashmë është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike, po mbledh çdo ditë e më shumë jo vetëm qytetarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe studentë, profesionistë dhe ekspertë që jetojnë jashtë vendit. Në ditën e 17-të të protestës para Kryeministrisë, një nga fjalimet që tërhoqi vëmendjen ishte ai i një studenteje shqiptare, e lindur dhe rritur në Angli, e cila tha se kishte vendosur të kthehej në Shqipëri për të kontribuar për vendin e saj, por se realiteti që kishte gjetur ishte krejt ndryshe nga ai që kishte ëndërruar. “Jam lindur dhe rritur në Angli, por kam vendosur të rikthehem për t’i dhënë një të mirë vendit tim. Kam ardhur sepse besoj se Shqipëria meriton më shumë dhe se brezi ynë duhet të ketë një shans për ta ndërtuar këtu të ardhmen”, tha ajo. Studentja foli për vështirësitë që sipas saj po përjetojnë të rinjtë në Shqipëri, duke përmendur mungesën e meritokracisë dhe mundësive të barabarta. “Kam parë nepotizmin që na merr mundësitë. Kam parë të rinj të arsimuar që largohen sepse nuk gjejnë hapësirë. Kam parë njerëz që nuk ecin përpara sepse vendin e meritës e ka zënë lidhja dhe favori” , deklaroi ajo. Megjithatë, e reja tha se ende beson te shoqëria dhe te qytetarët që po mbushin çdo mbrëmje sheshin para Kryeministrisë. “Por unë shoh edhe një të ardhme dhe ajo jeni ju. Janë njerëzit që nuk dorëzohen, janë të rinjtë që vazhdojnë të besojnë se ky vend mund të ndryshojë”, u shpreh studentja. Në fjalën e saj ajo ngriti edhe problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët në shumë zona të vendit. “Njerëzit meritojnë ujë, meritojnë drita, meritojnë kushte normale jetese. Por këta hajdutë po ua marrin të ardhmen”, tha ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.
Studentja nga Anglia në protestë: U ktheva për Shqipërinë, por gjeta nepotizëm dhe një vend që po zbrazet

Burimi:
Bota Sot