Në ndeshjen e fundit miqësore para nisjes së sezonit të ri, Xherdan Shaqiri ishte titullar për Baselin kundër Juventusit. Takimi përfundoi 0:0, ndërsa 34-vjeçari u zëvendësua në pushimin mes pjesëve, duke ngritur pikëpyetje për gjendjen e tij fizike. Pas ndeshjes, Shaqiri u paraqit për intervistë te mediumi zviceran “Blue Sport” duke çaluar lehtë.
Kur u pyet nëse gjithçka është në rregull, ai u përgjigj: “ Gjithçka është mirë”, por shtoi se “kam pasur dhimbje në shpinë dhe në tendinën e Akilit gjatë javëve të fundit”. Stafi teknik vendosi ta zëvendësojë në pushim. Kjo duket të ketë qenë një masë paraprake, pasi sezoni i ri nis pas një jave dhe Basel nuk dëshiron të rrezikojë me lojtarin e tij më të rëndësishëm.
Duke komentuar ndeshjen, Shaqiri theksoi se Juventusi është një klub me cilësi të jashtëzakonshme, por edhe Basel arriti të krijojë disa raste. Një prej tyre ishte një goditje dënimi nga rreth 17 metra, të cilën portieri Michele Di Gregorio e priti pa shumë vështirësi.
Barazimin 0:0 ndaj Juventusit ai e konsideroi “një rezultat pozitiv”, ndërsa foli edhe për ndryshimet e shumta në skuadër gjatë verës. “ Çdo gjë është e mundur. Lojtarët që vijnë te FC Basel duhet ta dinë se ne luajmë për trofe”, deklaroi Shaqiri, duke shtuar se objektivi i klubit është të mbetet në garë për titull deri në fund të sezonit.
Edhe pse fjalët e tij nuk ishin të pazakonta, gjuha e trupit të Shaqirit la vend për interpretime. Ylli i Baselit nuk dukej veçanërisht i kënaqur, dhe mbetet për t’u parë në javët e ardhshme nëse bëhet fjalë vetëm për dhimbjet fizike apo nëse ka diçka më shumë pas kësaj situate.
