Sveçla kërkon izolimin e Serbisë nga ndërkombëtarët: Reagimi ndaj

0%

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare masa më të ashpra ndaj Serbisë, pas deklaratave të ministres serbe të bëra për Kosovën, duke thënë se reagimet e deritanishme kanë qenë të buta.

Ministrja e Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, tha, mes tjerash, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit – ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës – “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998″.

Ndërkaq në një lidhje direkte në mediumin A2 CNN, Sveçla ka deklaruar se Serbia duhet të përballet me izolim ndërkombëtar derisa të ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të saj. “Sa i takon bashkësisë ndërkombëtare, unë ende vazhdoj të mendoj se reagimi ka qenë i butë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Do të duhej izolimi i Qeverisë së Serbisë, derisa të ndërmarrë masa ndaj pjesëtarëve të saj për gjuhën dhe sjelljen e tyre në raport me popullin shqiptar dhe me të gjitha standardet ndërkombëtare” – ka deklaruar Sveçla, të shtunën, më . Ai ka thënë se deklaratat e ministres serbe nuk përbëjnë vetëm një sulm ndaj Kosovës, por bien ndesh edhe me vlerat evropiane.

Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk duhet të mjaftohet vetëm me deklarata publike, por duhet të ndërmarrë veprime konkrete ndaj zyrtarëve që bëjnë deklarata të tilla. “Një deklaratë e tipit ‘kjo gjuhë nuk është e pranueshme për Evropën’ nuk mjafton.

Minimumi që pritet nga Vuçiqi është shkarkimi i zëvendëskryeministres dhe ministres, si dhe nisja e procedurave për ndjekje penale ndaj saj” – ka thënë tutje Sveçla. Ai ka folur edhe për vendimin e MPB-së për ta shpalllur person “non grata” Paunoviq pas kësaj deklarate të thënë publikisht.

“Cilido që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës nuk është i mirëseardhur në Kosovë, sepse është armik i Kosovës. Prandaj, pa hezitim kam ndërmarrë këtë hap dhe një veprim të tillë do ta marr unë dhe Qeveria sa herë të jetë e nevojshme për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës” – ka deklaruar Sveçla.

Duke iu referuar pasojave të luftës së fundit në Kosovë, ai ka përmendur edhe numrin e viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, gjë që, sipas tij, ky ka qenë plan i shtetit serb për spastrimin etnik të Kosovës. “Janë 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, janë 1 mijë e 300 fëmijë të vrarë.

Këto pasoja nuk janë të rastësishtme, këto kanë lindur si rezultat i një plani për spastrim etnik” – është shprehur ministri Sveçla.

Ministrja Paunoviq deklaroi në një intervistë televizive se po të kishte qenë në pozitën e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët.” Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa, pesë ditë nga e Paunoviq, ka reaguar Glauk Konjufca, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Disaporës, duke i shkruar letër Kaja Kallasit, përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Paunoviq u arsyetua duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga intervista ishte shkëputur vetëm një pjesë prej shtatë sekondash, duke u shndërruar, sipas saj, në një çështje politike, raporton Koha.net .

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 15 korrik se deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, nuk pasqyron as vullnetin e tij dhe as atë të Qeverisë serbe, duke theksuar se politika e shtetit është dialogu dhe kurrë spastrimi etnik. “Ishte një deklaratë e pamenduar dhe e papërgjegjshme.

Nuk duhet të dilet në publik me deklarata të tilla dhe kjo nuk është politika ime, as politika e Qeverisë së Serbisë. Është detyra jonë ta themi këtë qartë”, u tha Vuçiq gazetarëve në Kiev, ku po merr pjesë në Samitin Evropa Juglindore-Ukraina.

Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, tha, mes tjerash, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit – ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës – “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.

Duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta dhe Kosova, më 14 korrik, e shpalli atë person të padëshiruar, duke ia ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin transit nëpër territorin e vendit. Një nga deputetet më të zëshme britanike për çështjet që lidhen me Kosovën, Alicia Kearns, e ka quajtur të turpshme deklaratën e ministres Snezhana Paunoviq.

Kearns, e ka quajtur këtë deklaratë njollë mbi Qeverinë e Serbisë. “Mbështetja e turpshme e ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë është një njollë mbi Qeverinë e Serbisë. Njerëzit që sot janë në të tridhjetat e tyre i kujtojnë mizoritë që forcat e Millosheviqit kryen ndaj tyre dhe familjeve të tyre”- ka shkruajtur ajo në rrjetin social “X”.

Deputetja tha se nuk duhet të ekzistojë asnjë përpjekje për të justifikuar krimin që ndodhi në Kosovë. “Asnjë përpjekje për t’i justifikuar – apo, edhe më keq, për t’i lavdëruar – këto krime nuk mund ta bëjnë botën të harrojë atë që ndodhi në Kosovë. Mos harroni kurrë”- ka përfunduar ajo.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka shpallur person të padëshirueshëm (non grata) ministren Paunoviq, duke i ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

Në arsyetimin e Ministrisë thuhet se Paunoviq përmes deklaratave të saj publike në mënyrë të vazhdueshme ka shfaqur qëndrime që synojnë të cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Paunoviq ka rikonfirmuar se Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë nga projekti i spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Sipas Sveçlës, një politikë e tillë ishte tentuar edhe nga ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, të cilin ai e cilësoi si “kasapi i Ballkanit”.

“Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës” – ka shkruar Sveçla.

Ai shtoi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale. Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, nuk ka parapëlqyer të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e ministres serbe.

Megjithatë, në mënyrë të përgjithësuar ajo ka deklaruar se në Europë nuk ka vend për një retorikë që arsyeton apo bën thirrje për spastrim etnik. Hipper tha se deklarata të tilla ndeshen me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, nuk ka parapëlqyer të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e ministres serbe. Megjithatë, në mënyrë të përgjithësuar ajo ka deklaruar se në Europë nuk ka vend për një retorikë që arsyeton apo bën thirrje për spastrim etnik.

Hipper tha se deklarata të tilla ndeshen me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Megjithatë, ajo nuk paralajmëroi ndonjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, por vetëm përsëriti se nuk ka vend për një retorikë të tillë.

Edhe komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se është e tronditur nga deklarata e ministres Paunoviq. Ajo shfaqi shpresën se bëhet fjalë për një qëndrim individual, e jo për qëndrimin e gjithë Qeverisë së Serbisë. “Për deklarata të tilla mund të ketë vetëm tolerancë zero. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, promovon apo madhëron spastrimin etnik.

Personalisht, jam vërtet e tmerruar që në këtë kohë duhet të flasim ende për gjëra të tilla”- tha Kos në një konferencë për media. Deklaratës së saj i është kundëpërgjigjur ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës i Kosovës, Andin Hoti, duke thënë se kjo tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

Kurse, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka reaguar duke thënë se deklarata e Paunoviqit rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli – teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Burimi: Kallxo