Finalizohet operacioni “Organizatori” në Tiranë, pranga egjiptianit

0%

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në Policinë e Tiranës ka finalizuar me sukses një operacion të koduar “Organizatori”, duke goditur një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore. Në pranga ka rënë një 34-vjeçar egjiptian me iniciale A. H., banues në Krujë, i cili dyshohet se organizonte transportin ilegal të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas informacioneve zyrtare, i huaji kishte ndërtuar një skemë të mirëfilltë për t’i shpëtuar kontrolleve të rrepta të Policisë. Për të mos rënë në sy në akset rrugore, ai nuk i transportonte klandestinët në grupe, por i lëvizte ata një e nga një drejt zonave kufitare.

Pas sigurimit të informacioneve në rrugë operative, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në momentin kyç. 34-vjeçari egjiptian u kap në flagrancë në autostradë, në afërsi të Rinasit, teksa po transportonte me automjet drejt Shkodrës një bashkëatdhetar të tij, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në cilësinë e provës materiale, agjentët e policisë i kanë sekuestruar të arrestuarit aparatin celular, i cili pritet të zbardhë bisedat dhe bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në këtë rrjet të celulave të trafikut që operojnë kundrejt pagesave të majme.

“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve. Po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, ” njoftoi zyrtarisht Policia.

Materialet procedurale tashmë i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Burimi: Bota Sot