Nën temperaturat e larta të këtyre ditëve, banorët e fshatit Morin po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Me një eskavator të vogël të marrë me pagesë dhe me punën e tyre, ata kanë dalë në terren për të riparuar tubacionin e dëmtuar. Sipas tyre, dëmtimi ka ndodhur gjatë punimeve për vendosjen e shtyllave elektrike.
Banorët thonë se, përballë mungesës së ndërhyrjes institucionale, janë detyruar ta zgjidhin vetë problemin. Ata tregojnë se ujësjellësin e fshatit e kanë ndërtuar vite më parë me kontributet e familjeve të Morinit, ndërsa edhe sot shpenzimet për riparimin po i përballojnë vetë, me ndihmën e fëmijëve të tyre në emigracion.
Investimi i fundit për furnizimin me ujë, sipas banorëve, është bërë në vitin 2008, por furnizimi zgjati vetëm pak ditë. Nga ndërtimi i ujësjellësit deri te riparimi i tubacioneve, ata thonë se kanë paguar dy herë për të pasur ujë në shtëpitë e tyre. Ndërsa puna vijon nën temperaturat e larta, mbetet ende pa përgjigje se kur do të ndërhyjnë institucionet përgjegjëse
