Nga: Flaka Surroi Shpërndaje në: Atë që nuk e bëri Millosheviqi qe shfarosja jonë kolektive, që po të mos kishte ndodhur Srebrenica, mbase edhe do të ishte fati ynë. Fakt ky që do ta bënte nevojën për një intervistë të këtillë të ministres të tepërt.
Sepse spastrimi etnik do të konsumohej edhe me atë komponent që kishte qenë specialitet i Serbisë me dekada – masakrimi i shqiptarëve dhe zhdukja e tyre nga gjeografia e Evropës “Kurir”, njëri prej mediumeve proqeveritare të Serbisë, që ka nisur si gazetë e shtypur e tash është shndërruar në “wireless media grup”, në skemën e vet programore e paska edhe një emision që quhet “E parrëfyera” (Neispričano).
Autore e emisionit qenka një inxhiniere e xehetarisë dhe gjeologjisë që merret me “intervista të thella e personale”. Gjasat janë se kurrë nuk na kishte rënë hisja të merreshim me të, apo edhe të flisnim për të, po të mos ishte “intervista e thellë dhe personale” me ministren serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq.
Vendosa ta shikoja e dëgjoja rrëfimin e gruas që identifikohet si pejane e lindur, e që shpesh i qaset “ijekavicës” për t’u shprehur – që në të shumtën është serbishte e importuar ose nga Mali i Zi a Hercegovina.
Pra, pa paragjykuar, megjithatë po hamendësoj se ministrja Paunoviq është mbase mbesë kolonësh që u sollën në Kosovë gjatë “reformës agrare” për t’ua marrë tokat banorëve autoktonë, pra shqiptarëve, të trashëguara me breza. Durimi më lëshoi pak pas gjysmës. Edhe Kolumne 2 d. më parë Anatomia e një proteste të suksesshme (1) Nuk ishte vetëm ministrja që rrezatonte urrejtje e mllef.
Intervistuesja nuk u lodh fort t’i mbulonte brirët fashistë sa herë që fliste për luftën e Kosovës. Të cilën me shumë gjasa as nuk e ka përjetuar as nuk mund ta mbajë mend ndryshe, pos sipas narrativës së ushqyer me dekada nga vetë shteti serb. * * * Para se ta thoshte mendimin e saj fashist për shqiptarët e Kosovës, gazetarja i dha kah intervistës me këtë pyetje: “…pikë referimi është veprimi i policisë serbe në fshatin Prekaz i Ulët në vitin 1998, kur policia serbe likuidoi, jo vetëm udhëheqësin e UÇK-së, Adem Jashari, por edhe të gjithë familjen e tij, përfshirë të mitur e gra – u vranë mbi 50 anëtarë të familjes Jashari; kjo, ndër të tjera, u xhirua edhe nga mediat botërore dhe këtu mbërrin përkrahja nga e gjithë bota për popullin shqiptar “në luftën kundër hegjemonisë serbomadhe”.
E tash ju pyes: me gjithë këtë gënjeshtër të madhe dhe me gjithë propagandë mediatike, çka është dashur të bëhej ndryshe? Cilat ishin gabimet e politikave të Millosheviqit gjatë gjithë vitit 1998, deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës? Çka ka mundur të bëhej ndryshe?” Rrena më evidente në këtë formulim është prezenca e mediumeve ndërkombëtare në Prekaz.
Nuk kishte, për shkak se Prekazi qëndroi i rrethuar me ditë të tërë dhe fotot e vetme që kanë dalë prej aty kanë qenë të KOHËS Ditore. Përkrahja ndërkombëtare do të vinte më vonë.
Sidoqoftë, konstatimi merret i mirëqenë nga ministrja, e cila përgjigjet: “Por, ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme të them të paktën sot, është se Adem Jashari ishte një njeri që, së bashku me grupin e tij terrorist, pengonte lëvizjen midis Pejës dhe Prishtinës, në magjistrale, dhe në atë rrugë vriteshin serbë. Familjet ndaloheshin në atë rrugë.
Dhe, kur kuptuam se rrugët na bllokoheshin, policia serbe e ushtria serbe – jugosllave atëherë – nuk reagoi veç eh. Kishim viktima të rënda nga ato sulme terroriste. Në fillim bëhej fjalë për grupe të vogla, por që nga çasti i parë qe një ushtri e organizuar; çështja ishte vetëm se sa të vetëdijshëm ishim ne për këtë. Pse u vra familja e Adem Jasharit? Sepse ai fshihej pas saj.
Ai i sakrifikoi ata. Adem Jashari nuk ishte ndonjë luftëtar – e s’po merrem fort me të. Adem Jashari, si të gjithë ata, ishte qyqar që fshihej pas grave dhe fëmijëve…” Po të kishte qenë ushtria e Jasharit aq mirë e organizuar, kjo betejë nuk do të zhvillohej në këtë formë: polici e ushtri e rrethojnë një fshat dhe me qëllim sulmojnë shtëpitë e një familjeje që vetëmbrohet dhe shuhet me shumë dhunë.
Lehtësia me të cilën arsyetohet masakra e 50 njerëzve, pos mllefit, s’ka si të mos shkaktojë neveri. Por, ministrja nuk ndalet me kaq. * * * “Dhe tani, për mangësitë dhe marrëzinë tonë: sikur të isha unë Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998 – dhe ky është formulimi më i ashpër që kam thënë ndonjëherë në jetë.
Por, jo në atë mënyrë që, nuk e di, t’i likuidoja – ashtu siç po përpiqen sot e kësaj dite ta spastrojnë etnikisht Kosovën – por në atë mënyrë që kushdo që nuk ndihej banor i RFJ-së, të largohej dhe të shkonte në shtetin e tij amë. Kurse ata që do t’i zgjidhnin veprimet terroriste, do të likuidoheshin ashtu siç trajtohen zakonisht terroristët edhe sot, e lëre më në atë kohë.
Megjithatë, Sllobodan Millosheviqi, e madje as SPS-ja, nuk e patën kurrë të njëjtin qëndrim ndaj kësaj çështjeje si unë. Sot, në moshën time të pjekur – me trishtim, zemërim, zhgënjim apo çfarëdo tjetër – mund ta them lehtësisht këtë; në fund të fundit, për mua është shumë më e lehtë ta them sesa të ishte për dikë që ta bënte atë gjë në vitin 1998.
Megjithatë, fati i Sllobodan Millosheviqit nuk do të kishte ndryshuar thelbësisht edhe sikur ta kishte bërë një gjë të tillë; ai tashmë ishte shpallur “kasapi i Ballkanit” – ndërkohë që pas Dejtonit konsiderohej si një nga faktorët kryesorë të paqes dhe stabilitetit në Ballkan – por u shndërrua në “kasap të Ballkanit” përmes një improvizimi, siç ndodhte me të gjitha ato…” (ndërhyn gazetarja) “…
Reçaku dhe gjëra të tjera…” (vazhdon ministrja) “Të mos flasim për Reçakun… Danica Marinkoviq është gjallë; ajo mund të flasë zëshëm se çfarë improvizimi kishte qenë…” Mohimi i një fakti, për të cilin ende mund të flasim shumë prej nesh që e mbijetuam poshtërimin e dëbimit nga toka jonë, është thjesht të zgjedhësh të jetosh në një botë tjetër, aty ku nuk ka shqiptarë, ose ku krejt shqiptarët janë të vdekur, pra janë shqiptarë të mirë.
Të dalë e të thotë publikisht se Millosheviqi dhe partia e tij “nuk kanë pasur qëndrimin e saj për spastrimin etnik”, përderisa ka qenë dëshmitare që Peja e saj e lindjes, lëre që ka qenë e boshatisur, por edhe ditët e fundit të luftës, e dëmtuar shumë rëndë, me kallje shtëpish pas plaçkitjes së tyre masive (të cilën gjë natyrisht nuk e përmend), është në fakt shpërfaqja e dëshirës së paplotësuar atëherë – e që i ka mbetur zhig.
Atëherë është dashur të na vrisnin të gjithëve: 800 mijëve që na dëbuan dhe milionëshin që kishte mbetur në Kosovë i shpërndarë gjithandej nëpër qytete, kodra e male. Edhe Kolumne 2 d. më parë Të mos harrohet se Serbia e Millosheviqit ka bërë pastrim etnik në Kosovë Nuk na mbytën të gjithëve, por ata që i vranë, i mbytën pa asnjë mëshirë, pa zgjedhur gjendje fizike e as për moshë.
Dhe për t’i mbuluar gjurmët e krimit e çuan një gënjeshtare dhe një fashiste tjetër, “për të hetuar në vend të ngjarjes”. Danica Marinkoviq, gjykatësja hetuese e lindur në Bosanski Brod dhe e rritur në Shkup, më 1974, bashkë me burrin e saj, bursist i Fabrikës së Amortizatorëve, do të vinte e do të punësohej në Kosovë. Si gjenerata e radhës e kolonëve – kësaj radhe me letra punësimi.
Serbët e kanë vetë një thënie e cila duket më e përshtatshmja për ta ilustruar këtë segment: “Pitaj brata lažova” (Pyete vëllanë – në këtë rast motrën – gënjeshtar/e”. * * * Duke vazhduar përshkrimin e dhembjes së saj patriotike, urrejtëse e patologjike, ministrja vazhdon e flet për “Rastin Panda”, për të cilin, natyrisht, se i fajëson shqiptarët, ani që dëshmitë dhe analizat e mëvonshme, sugjerojnë se urdhri për vrasjen e të rinjve serbë u dha nga kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Serb, Radomir Markoviq, dhe u ekzekutua nga njësitë speciale serbe, që faji t’u mbetej shqiptarëve.
Dhe thotë: “…çfarë mund të mendosh në atë çast, çfarë mund të thuash sot, nëse jo — sado çnjerëzore që mund të tingëllojë — nevojën për ta korrigjuar atë gabim që ndodhi në vitin 1998…
Është detyrim i gjithë neve që patëm fatin të mbijetojmë, që të flasim edhe për ata — të cilët nuk duhen harruar kurrë, qoftë si njerëz, qoftë si viktima — në themelet e shtetësisë serbe, e cila mbrohet edhe sot e kësaj dite dhe do të mbrohet prej nesh, si dhe prej brezave që do të vijnë, për vite të panumërta në të ardhmen”.
Dhe vazhdon “empatia” e udhëheqëses: “A e ndani mendimin e gjithë popullit të përgjegjshëm serb se e gjithë kjo që po ndodh tani është e përkohshme dhe se e gjithë kjo do të kalojë – ndoshta unë dhe ju nuk do ta përjetojmë…” Ndërkohë që ministrja ia heq dyshimin: “Unë dhe ju do ta përjetojmë”. * * * “Gjendja e përkohshme” është kthimi masiv, më 1999, i shqiptarëve të dëbuar me dhunë, me identitet të vjedhur dhe me Kosovën e bërë rrafsh nga shkatërrimi i pamëshirshëm.
Gjendja e përkohshme është edhe Kosova e pavarur dhe republikë parlamentare, që sipas dy fashisteve do të duhej të shuhej qysh nesër, ashtu që të dyja ta përjetojnë kënaqësinë e spastrimit etnik që Millosheviqi nuk e paskësh bërë. Atë që nuk e bëri Millosheviqi qe shfarosja jonë kolektive, që po të mos kishte ndodhur Srebrenica, mbase edhe do të ishte fati ynë.
Fakt ky, që do ta bënte nevojën për një intervistë të këtillë të ministres të tepërt. Sepse spastrimi etnik do të konsumohej edhe me atë komponent që kishte qenë specialitet i Serbisë me dekada – masakrimi i shqiptarëve dhe zhdukja e tyre nga gjeografia e Evropës.
Gjendja e përkohshme është insistimi shumëvjeçar i Serbisë që Kosova t’i mos hapë sytë e të funksionojë si shtet normal me të gjitha defektet që i ka.
Është instrumentalizimi i serbëve të Kosovës për një ide që vështirë se e kuptojnë madje; janë sulmet terroriste në Banjskë e Varagë; janë bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare dhe pretendimi se Kosova është e Serbisë, sepse u nevojitet një arsyetim për ta shtypur popullin e vet përbrenda. * * * Deklarata e ministres nuk është e rastësishme dhe, në fakt, nuk përbën skandal.
Ajo e pati a guximin a pafytyrësinë, nuk e di, për ta thënë publikisht atë që ne e kuptojmë se është politika zyrtare e pushtetit në Beograd. Patjetër, është edhe bindja e shumë njerëzve në Serbi, që ose nuk kanë dashur të dinë, ose tash pas gati 30 vjetësh, nuk mund ta dinë të vërtetën, për shkak se me vite i kanë ushqyer me këso qëndrimesh fashiste, supremaciste dhe përçmuese.
Dhe kjo, ne nuk na befason. E nuk do të duhej ta befasonte as Perëndimin. Edhe Kolumne 3 d. më parë Berlin 2028: Nga Kongresi në Marrëveshje Megjithatë, 30 vjet nuk mund t’i shlyejnë aq lehtë pasojat e katër luftërave që i shkaktoi një shtet me uri të madhe për t’i gllabëruar të gjithë ata që i sheh si mall që mund të spastrohet kurdo që ndonjë ministre, një mëngjes, çohet në këmbë të majtë. [email protected]
