Ciceronët pa licencë në Kosovë gjobiten prej 1 gushtit

0%

Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Licencimi i 12 ciceronëve të parë qe cilësuar si hap historik për rregullimin e kësaj çështjeje, e tash pasojnë masat për ata që operojnë ilegalisht në Kosovë. “Krejt mekanizmat do të aktivizohen dhe do të dalin edhe të dhëna tutje për vetëdijesim”, ka thënë ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci.

Prej ditës së parë të gushtit, çdo person që ushtron veprimtarinë e udhërrëfyesit pa licencë, do të konsiderohet ilegal dhe do të përballet me masa ndëshkuese Disa ditë pasi Kosova licencoi për herë të parë udhërrëfyesit turistikë, institucionet kanë nisur fazën e zbatimit të mekanizmave që synojnë të rregullojnë tregun dhe të ndalojnë ushtrimin e paligjshëm të këtij profesioni.

Prej ditës së parë të gushtit, çdo person që ushtron veprimtarinë e udhërrëfyesit pa licencë, do të konsiderohet ilegal dhe do të përballet me masa ndëshkuese, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar monitorim të shtuar edhe për udhërrëfyesit e huaj që operojnë në Kosovë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Procesi i licencimit, siç është paralajmëruar, do të vazhdojë edhe në muajt në vijim dhe do të pasohet me avancimin e procedurave profesionale dhe edukative për këtë profesion. Ndarja e 12 licencave të para për udhërrëfyesit turistikë javën e kaluar në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, qe cilësuar si hap historik për sektorin e turizmit në Kosovë.

Procesi ishte kërkuar prej vitesh nga operatorët turistikë dhe udhërrëfyesit vendorë, të cilët kishin ngritur vazhdimisht shqetësimin se mungesa e licencimit kishte krijuar hapësirë që guida të huaja ta prezantonin historinë, kulturën dhe trashëgiminë e Kosovës sipas interpretimeve të tyre.

Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka thënë se tashmë po përgatiten udhëzimet dhe mekanizmat institucionalë që do ta bëjnë të zbatueshëm ligjin dhe do të mundësojnë monitorimin e rasteve të shkeljeve. Edhe Kulturë 1 j. më parë S’ka më ciceronë pa letra nga shteti, licencohen 12 të parët “Tash do të dalin disa udhëzime prej Policisë e Inspektoratit.

Krejt mekanizmat do të aktivizohen dhe do të dalin edhe të dhëna tutje për vetëdijesim. Ka monitorim, udhërrëfyesit e huaj nuk mund të hyjnë pa i respektuar rregullat që i kemi të respektuara dhe pa kontakt të udhërrëfyesve tanë të licencuar”, ka thënë Bogujevci në një përgjigje telefonike për KOHËN.

Sipas saj, institucionet kanë pranuar raportime të ndryshme për mënyrën se si është prezantuar Kosova nga udhërrëfyes të huaj, e kjo ka qenë një nga arsyet kryesore për rregullimin ligjor të kësaj fushe. “Kemi pasur raportime të ndryshme dhe për ne ka qenë shumë me rëndësi të rregullohet dhe të hyjë në fuqi ligji të cilin e kemi pasur të aprovuar.

Është një hap shumë i rëndësishëm që është bërë licencimi i udhërrëfyesve. Tash e kemi një mekanizëm të ndërtuar që në të njëjtën kohë shërben edhe për pjesën e monitorimit dhe raportimit të rasteve kur ka udhërrëfyes, qoftë përbrenda, qoftë të huaj, të cilët e shtrembërojnë historinë tonë”, ka thënë ajo. Bogujevci ka konfirmuar se procesi nuk përfundon me grupin e parë të licencave.

“Procesi i licencimit vazhdon”, ka thënë ajo. Ministria e Kulturës dhe Turizmit pati vlerësuar gjatë ceremonisë së ndarjes së licencave më 10 korrik se ky proces përbën një reformë të rëndësishme për rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike dhe forcimin e besimit të turistëve ndaj Kosovës si destinacion.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti ka thënë se ka nisur implementimi i fushës informuese për operatorët turistikë dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë, iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Sipas Hotit, të gjitha agjencitë turistike tashmë janë njoftuar për afatet dhe obligimet ligjore.

“Prej sot (e enjten v.j.) kemi filluar të dërgojmë e-mail informues për të gjitha agjencitë turistike në mënyrë që edhe ata t’i informojnë partnerët e tyre ndërkombëtarë dhe prej datës 1 gusht të gjithë ciceronët që nuk kanë licencë nuk kanë të drejtë ta implementojnë këtë veprimtari. Prej sot pra ka filluar kampanja vetëdijesuese e informuese dhe do të zgjasë deri më 31 të këtij muaji.

Nga data 1 (gusht) atëherë çdo person që është pa licencë konsiderohet ilegal dhe fillojnë të aplikohen gjobat”, ka thënë Hoti për KOHËN.

Edhe Kulturë 10 muaj më parë “Ulpiana” dhe Kalaja e Novobërdës me ciceronë, ajo e Prizrenit dështon Sipas tij, rregullimi i tregut ka qenë një nga kërkesat e kahershme të sektorit të turizmit, sidomos për shkak të rasteve kur guida të huaja kanë interpretuar historinë e Kosovës pa asnjë kontroll institucional.

“Kampanja është nisur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe ne si Union jemi të interesuar ta rregullojmë tregun, sepse këtë problematikë e kemi ngritur që katër vjet që udhërrëfyesit e huaj po vijnë dhe po e prezantojnë Kosovën si po duan vetë. Në kuadër të kësaj kemi si bashkëpunëtorë që t’i informojmë të gjithë anëtarët e Unionit për këtë gjë”, ka deklaruar ai.

Hoti ka theksuar se mungesa e një sistemi licencimi e kishte bërë të pamundur kufizimin e udhërrëfyesve të huaj, pasi Kosova nuk kishte guida të licencuara që mund të kërkoheshin nga operatorët ndërkombëtarë të udhëtimit.

“Kur nuk ka pasur kontroll se kush ka ardhur ta elaborojë, çfarë personi, çfarë guide, prej cilit shtet ka qenë, prej Serbisë apo ndonjë tjetër, normalisht që e ka keqinterpretuar historinë e kulturën e vendit tënd. Kjo është arsyeja pse ne kemi insistuar të bëhet kjo sa më shpejt.

Patëm thënë që urgjentisht duhet të licencohen guidat sepse nëse një shtet nuk ka guida të licencuara atëherë nuk ka të drejtë ta ndalë guidën e një shteti tjetër, pasi operatori i huaj i udhëtimit mund të kërkojë guidë të licencuar”, ka thënë ai. Licencat e para që janë lëshuar kanë vlefshmëri dyvjeçare.

Ky afat konsiderohet periudhë kalimtare, gjatë së cilës pritet të ndërtohen standardet profesionale për shkollimin dhe certifikimin e udhërrëfyesve turistikë. “Licenca është për dy vjet. Sistemi është i hapur që njerëzit që kanë përvojë pune atëherë licencohen për dy vjet.

Për aq kohë kemi afat të krijojmë kurrikulat, të gjitha detajet dhe të jetë tamam profesion ku njerëzit mund të shkollohen për ta marrë licencën për afat më të gjatë. Kjo është si formë kalimtare, por me ngulm që gjithqysh duhet të bëhet”, ka deklaruar Hoti.

Me hyrjen në fuqi të masave të reja nga muaji gusht, institucionet synojnë që turizmi në Kosovë të funksionojë me standarde të qarta profesionale dhe që prezantimi i historisë e trashëgimisë kulturore të vendit të bëhet vetëm nga udhërrëfyes të autorizuar dhe të monitoruar nga mekanizmat shtetërorë.

Edhe Kulturë 4 muaj më parë Kalaja e Prizrenit mbetet pa ciceronë, Ministria anulon konkursin e dytë Ligji për Turizmin, i cili përcakton çështjen e udhërrëfyesve turistikë, u miratua më 2022.

“Për ushtrimin e veprimtarisë, udhërrëfyesi turistik duhet t’i plotësojë këto kushte: të ketë kualifikim universitar ose profesional për udhërrëfyes turistik apo në fushën e turizmit, të mos ketë qenë i dënuar për vepra penale të kryera me dashje; të ketë njohuri dhe të ushtrojë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në pajtim me kodin e etikës, të ketë njohuri të njërës nga gjuhët zyrtare dhe të paktën një gjuhë të huaj që do të përdoret në kryerjen e shërbimeve të udhërrëfyesit turistik”, shkruhet ndër të tjera në nenin 29.

Neni 30 e përcakton se “për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, kandidati duhet të bëhet pjesë e Regjistrit të Turizmit”.

Burimi: Koha