Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rexhep Xhotës, Fatmir Mjekut, Sheremet Jasharit, Bajram Dibranit, Skender Tahirit dhe Rrustem Rrukollit. Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit, ku Lushtaku dhe të tjerët kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje.
Sipas dosjes së prokurorisë, veprimet e të pandehurve në procedurë përbëjnë tri shkelje të Kodit Penal: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “Frikësim gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal”.
Gjykata refuzoi propozimin e prokurores speciale, Florije Shamolli, për leximin e deklaratave të katër dëshmitarëve – të cilët kanë kërkuar nga ana e gjykatës që të mbeten anonimë – me arsyetimin se kërkesa nuk ka qenë konkrete dhe nuk ka përmbajtur datat e sakta të deklaratave të dhëna më herët.
Në lidhje me dëshmitarin C, i akuzuari Rexhep Xhota ka treguar para gjykatës se marrëdhënia e tij me të ka qenë e mirë dhe se qëllimi i tij i vetëm ka qenë për ta ndihmuar. Gjithashtu, ai ka theksuar se i ka ofruar edhe punë, si dhe mbështetje të vazhdueshme financiare.
Xhota po ashtu ka deklaruar se i ka ofruar edhe strehim në banesën e tij dhe se dëshmitari C ka tentuar që t’ia shesë pronën e tij. “Ai nisi me m’çu njerëz dhe me lyp përkthim e me bo gati për shitje, dhe unë ju kam tregu njerëzve që banesa nuk shitet”, tha ai. I pyetur nga prokurorja Shamolli për arsyen pse e kishte ndihmuar, Xhota tha se njiheshin pasi kishin qenë nga i njëjti fshat.
Ai ka thënë se të gjitha deklarimet e dëshmitarit C janë të pavërteta dhe se nuk e kupton pse kishte dëshmuar në atë mënyrë për të. Ndërsa, i akuzuari Sheremet Jashari, në pyetjet e avokatit të tij, Osman Ahmeti, ka deklaruar se nuk kishte kërcënuar askënd dhe se askujt nuk i kishte dhënë para për ndryshimin e deklaratave, duke thënë se të gjitha këto i ka bërë EULEX-i.
“Unë e di që jam i pafajshëm, s’kam ba punë të këqija. Këto janë krejt hulumtime të EULEX-it”, deklaroi ai. Jashari ka deklaruar se aktakuzën e kishte pranuar nga EULEX-i dhe se nuk e kishte lexuar as edhe një faqe të saj. Bile, ka thënë se ka djegur gjysmën e saj. Ai ka shtuar se kishte qenë pjesë e tri luftërave dhe se e njihnin me nofkën “Komandant Klina”.
Ai ka shprehur pakënaqësi për zgjatjen e seancës gjyqësore duke theksuar se prokuroria e ka ditur që dëshmitari përkatës për çështjen e tij kishte ndërruar jetë. “Qe 7 vite e kanë ditë për atë person që është i vdekur. Edhe prokuroria e ka ditë dhe nuk ka pas nevojë që 11 vite të maltretohemi për këtë çështje”, tha Jashari.
Ndërsa, në fund të seancës, avokati i të akuzuarit Fatmir Mjeku, Vigan Rugova, kërkoi nga gjykata që të iniciojë kontroll incidental të kushtetutshmërisë lidhur me dispozitat e reja të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas tij, këto dispozita nuk parashohin ndonjë ndalesë ligjore për përgjimin e komunikimeve ndërmjet avokatit dhe klientit, gjë që, sipas mbrojtjes, bie ndesh me garancitë e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Historiku procedural lidhur me rastin e arratisjes së Sami Lushtakut Gjykata Themelore në Prishtinë, më kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.
Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaçi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza. Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaçi dhe Shatri ishte anuluar nga Gjykata e Apelit.
“Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E. Th. për dy vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N.
Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit” dhe “Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. “Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.
Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohej i pandehuri Thaçi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”.
Tutje Emrush Thaçi dhe Nexhib Shatri ishin liruar prapë në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi.
Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më , të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marr shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.
Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për këto vepra penale “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.
Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skënder Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani. Ndërsa, Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzoheshin për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.
Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzoheshin për veprën penale të “Ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria”. Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzoheshin për veprën penale pengimi i Dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.
Emrush Thaçi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzoheshin edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.
Tutje, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, akuzoheshin për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.
