Një person rreth moshës 50-vjeçare është lënduar gjatë ditës së sotme teksa po punonte në ndërtimin e një shkolle në Lagjen e Minatorëve në Mitrovicën e Veriut. Sipas burimeve të KALLXO.com, punëtori është lënduar derisa ishte duke ngarkuar disa shtylla në një kamionet. Dyshohet se ai ka pësuar lëndime në kokë dhe po trajtohet në QKUK.
Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili është konsultuar lidhur me veprimet procedurale, ndërsa është njoftuar edhe Inspektorati i Punës, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes. Hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti.
I lënduari fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës së Jugut. Rrethanat e plota të rastit mbeten nën hetim.
