Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ua ka shkëputur kontratat e punës 20 zyrtarëve nga komuniteti serb. Ky është vendimi i Fitore Pacollit, ministres në detyrë të Mjedisit, e cila vetë e ka kumtuar lajmin.
Sipas ministres, shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës.” – ka shkruar Pacolli në Facebook, më .
Pacolli thekson se do të vendosin ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. “Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë.
Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare.” – ka përfunduar ajo. Zyrtarët që u janë shkëputur kontratat kanë qenë pjesë e ish-Mbrojtjes Civile.
