Të varrosësh frikën dhe pajtimin me të keqen

0%

Valentin Lumaj Vargu i gjatë i qytetarëve që mbush rrugët dhe sheshet e Tiranës më sjell ndër mend kortezhin e zymtë të romanit Funerali i pafundmë të Visar Zhitit. Një turmë ecën pas një arkivoli, por nuk arrin kurrë në varreza. Marshimi vazhdon çdo ditë pa një fund të dukshëm, askush nuk e di më se kur nisi, çfarë po varroset dhe kur duhet të përfundojë.

Ajo që Zhiti e ndërtoi si sajim letrar dhe alegori të një shoqërie të robëruar nga e kaluara, sot duket pothuajse identike me realitetin shqiptar. Kortezhi i tij imagjinar ngjan me turmat që mbushin përsëri sheshet e Tiranës, duke protestuar kundër së njëjtës klasë politike, të njëjtave zhgënjime dhe të njëjtave plagë të pambyllura. Te Zhiti, funerali është trillim.

Në Shqipërinë e sotme, ai duket si kronikë e përditshme. Ndryshojnë vitet, qeveritë, pankartat, sloganet dhe fytyrat në podium; ndërrojnë emrat e dy-tre politikanëve, por kortezhi vazhdon. Populli ecën, proteston dhe kërkon ndryshim, ndërsa mbi supe mban ende arkivolin e një sistemi që shpesh shpallet i vdekur, por nuk varroset kurrë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në roman, arkivoli është në krye të kortezhit, por pjesa më e madhe e turmës nuk arrin ta shohë. Ata që ndodhen në mes ose në fund vazhdojnë të ecin pas të tjerëve, duke besuar se përpara gjendet diçka që e justifikon marshimin. Arkivoli i padukshëm bëhet simbol i ideologjisë, i pushtetit dhe i një të kaluare të vdekur që vazhdon të komandojë të gjallët.

Në protestat e Tiranës, arkivoli simbolik mund të përmbajë besimin e humbur te politika. Brenda tij mund të jetë vota e vjedhur, drejtësia e vonuar, rinia që largohet nga vendi, pasuria publike e grabitur dhe shpresa e një populli që prej dekadash pret ndryshimin.

Por, arkivoli mban brenda vetë sistemin politik shqiptar, i cili ndryshon pamje, ngjyra, slogane dhe udhëheqës, por vazhdon të mbahet mbi shpatullat e qytetarëve. Personazhet e Zhitit nuk paraqiten gjithmonë si individë të plotë. Ato shfaqen si maska, zëra dhe hije që humbasin identitetin brenda turmës. Kortezhi ua largon vetminë, por njëkohësisht ua tret individualitetin.

Njeriu nuk pyet më se ku po shkon; ai ecën sepse ecin të tjerët. Këtu lind edhe paralajmërimi për protestën politike. Një protestë nuk duhet të shndërrohet në një turmë që ecën verbërisht pas një arkivoli politik, sepse ecin të tjerët. Qytetari duhet të mbetet qytetar, jo thjesht numër në kortezh apo një algoritëm. Protestuesit nuk duhet të jenë vetëm pjesëmarrës në një funeral.

Ata duhet të jenë edhe njerëzit që kanë dalë për t’i dhënë fund atij. Protestuesi duhet të dijë pse proteston, çfarë kërkon, si ta realizojë dhe çfarë do të vijë pas rrëzimit të së vjetrës. Në çastin kur qytetarët ndalojnë së ndjekuri verbërisht dhe fillojnë të kërkojnë ndryshimin, kortezhi nuk është më funeral. Ai kthehet në marshim të ndërgjegjes.

Në një fragment domethënës të romanit, Zhiti përmbys vetë kuptimin e funeralit: nuk janë më të gjallët që përcjellin të vdekurin, por duket sikur “të vdekurit përcillnin një të gjallë, pastaj një popull”. Ky imazh mund të lexohet edhe si metaforë e Shqipërisë së sotme.

Hijet e së kaluarës, mënyrat e vjetra të sundimit, kultura e pandëshkueshmërisë dhe njerëzit politikisht të konsumuar vazhdojnë të përcaktojnë fatin e një populli të gjallë. Në vend që shoqëria të varrosë të kaluarën, e kaluara dalëngadalë po varros të ardhmen e shoqërisë shiptare. Ndoshta turma ende nuk dëshiron ta ulë arkivolin nga shpatullat.

Brenda tij nuk ndodhet vetëm politika e vjetër, por edhe udhëheqësit e vjetër, emrat me të cilët njerëzit janë mësuar të lidhen, të ndahen dhe të shpresojnë. Edhe kur i kundërshtojnë, vazhdojnë t’i mbajnë me vete, sepse ende nuk shohin një udhëheqës të ri, një figurë të besueshme apo një ide të re që mund ta drejtojë marshimin. Prandaj kortezhi vazhdon.

Turma proteston kundër së vjetrës, por njëkohësisht ka frikë ta braktisë plotësisht atë. E njohura, sado e konsumuar, duket më pak e rrezikshme se boshllëku. Arkivoli rëndon mbi shpatulla, por ulja e tij do të kërkonte jo vetëm refuzimin e udhëheqësve të vjetër, por edhe guximin për të ecur pa ta, derisa të lindë një alternativë e re.

Kjo është ndoshta tragjedia më e madhe politike: populli e di se çfarë nuk dëshiron, por ende nuk e ka përcaktuar qartë atë që dëshiron. Dhe kështu, në mungesë të një fillimi të ri, vazhdon të shoqërojë të vjetrën në një funeral që nuk arrin kurrë te varri.

Pyetja që romani i Zhitit ia lë lexuesit mund t’i drejtohet edhe shoqërisë shqiptare: Kush është në arkivol dhe përse vazhdojmë ta mbajmë mbi supe? Aty mund të jetë një qeveri, një opozitë, një klasë e tërë politike apo një mentalitet i tërë shoqëror. Por përgjigjja nuk mjafton.

Duhet edhe guximi për ta ulur arkivolin nga shpatullat, për ta varrosur atë që ka vdekur dhe për të mos lejuar që protestat e ardhshme të bëhen vetëm kapitulli tjetër i një funerali që nuk mbaron kurrë. Shqipëria duhet t’i japë fund këtij kortezhi. Ndoshta protesta e radhës duhet të jetë e fundit e këtij lloji, ku secili të marrë me vete nga një arkivol, një arkivol për veten e tij .

Në mos për të vdekur, të paktën për të varrosur frikën e vet, heshtjen, nënshtrimin dhe pajtimin me të keqen, për të varrosur atë pjesë të vetes që prej vitesh pranon të ecë pas të njëjtëve udhëheqës dhe të njëjtit sistem. Vetëm atëherë mund të marrë fund tranzicionifuneral i politikës shqiptare dhe pas tij të fillojë jeta.

Sepse një popull fillon të jetojë vetëm kur pushon së mbajturi mbi supe të vdekurit e politikës së tij.

Burimi: Telegrafi