Një i mitur ka përfunduar në ndalim policor, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një bashkëmoshatar në Prishtinë, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 10 korrik, pranë lokalit “ Zaziki ”, në rrugën “ A ”.
Sipas kallëzimit të viktimës, një i mitur me inicialet Rr.M. rreth 16 vjeç, ai ishte sulmuar nga disa persona dhe, si pasojë e goditjeve, kishte pësuar lëndime të lehta trupore. Fillimisht, viktima kishte deklaruar se autorët nuk i njihte, përveç faktit se disa muaj më parë kishte pasur mosmarrëveshje me një person tjetër, i cili, sipas tij, nuk kishte qenë i pranishëm gjatë sulmit.
Megjithatë, pas veprimeve operative dhe hetimore, Policia ka arritur të identifikojë si të dyshuar një të mitur me inicialet A.Z. rreth 16-vjeç. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe kujdestarit ligjor, ndërsa me urdhër të Prokurorit për të Mitur është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Në kuadër të hetimeve është intervistuar edhe një dëshmitar i mitur në prani të prindit të tij. Policia nuk ka arritur të sigurojë pamje nga kamerat e sigurisë, pasi në vendin e ngjarjes nuk janë identifikuar kamera që do të mund të dokumentonin incidentin. Rasti është iniciuar si “ Lëndim i lehtë trupor ” dhe hetimet janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
