Të paktën 21 persona, mes tyre 20 nxënës dhe drejtori i një shkolle, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në Ugandë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në zonën e Kapchorwa, teksa nxënësit e shkollës “King David Junior School” po ktheheshin nga një ekskursion mësimor në ujëvarat turistike Sipi Falls.
Sipas hetimeve paraprake të policisë, autobusi dyshohet se pësoi një defekt mekanik në kodrën Chekwatit. Shoferi humbi kontrollin, ndërsa mjeti doli nga rruga, u përplas me një shkëmb dhe më pas u përmbys. Ministri i Pushtetit Lokal, Balaam Ateenyi Barugahara, konfirmoi se në mesin e viktimave ishte edhe themeluesi dhe drejtori i shkollës, Tadeo Ssekade.
Dhjetëra persona të tjerë, përfshirë mësues dhe punonjës të shkollës, mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital për trajtim mjekësor. Ekipet e emergjencës dhe banorët e zonës ndërhynë për të nxjerrë të mbijetuarit nga autobusi i shkatërruar.
Aksidenti ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e transportit të nxënësve në Ugandë, vend që vazhdon të përballet me një numër të lartë aksidentesh rrugore. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!