Jeta dhe formimi Valbonë Dibrani-Hajdari, e lindur në Gërdoc të Llapit, përfaqëson një gjeneratë që është formuar në kufirin mes vendlindjes dhe mërgimit, mes kujtesës dhe përpjekjes së vazhdueshme për të mos dështuar në një realitet të ri.
Historia e saj është pjesë e asaj vale të madhe njerëzore, kur fëmijët shqiptarë janë detyruar ta ndërpresin shkollimin e tyre fillor, për të vazhduar në mërgim, jo si zgjedhje personale e tyre, po më tepër si domosdoshmëri familjare.
Babai i saj, Rexhepi, për arsye pune, kishte emigruar së pari në Zagreb të Kroacisë, e më pas, nga atje, në Zvicër, ku për vite të tëra punoi si punëtor stinor në ndërtimtari, mjeshtëri që lidhej natyrshëm me përvojën e tij profesionale.
Kështu, Valbona u formësua nga një përvojë e hershme, ku kaloi një fëmijëri të ndarë, mes mungesës së babait dhe përkujdesjes së nënës, gjyshërve dhe familjes së zgjeruar, që përputhet me sfidat e asaj kohe.
Edhe fëmijëria e saj i ka anët e dyfishta: nga njëra anë, malli për rrënjët familjare në Kosovë dhe, nga ana tjetër, vështirësitë e vazhdueshme të stabilitetit familjar në një ambient të ri. Gjithsesi, në kujtesën e saj mbeten kujtimet e kësaj periudhe, të cilën e kaloi nën përkujdesjen e gjyshërve, veçmas kur, për shkaqe shëndetësore, nëna e saj u detyrua të shkonte te babit në Zvicër.
Pesë klasat e para të shkollës fillore (1986–1992) i kreu në Gërdoc. Pas emigrimit, Valbona u përball me një realitet krejt tjetër, ku gjuha, kultura dhe sistemi arsimor përbënin një sfidë të re ekzistenciale.
Megjithatë, ajo arriti të përfundonte klasat e mbetura të shkollimit fillor në vitet 1993-1995 dhe më pas të vazhdonte edhe Klasën e Dhjetë, si formë orientimi dhe përshtatjeje në sistemin arsimor zviceran. Në kërkim të një rruge më të qëndrueshme akademike, ajo ndoqi edhe shkollimin privat në “Ortega Schule” në St.
Gallen (1999), duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një drejtim shkollimi që e ëndërronte dhe që do t’i hapte horizonte profesionale.
Profesioni, përpjekjet dhe rruga e vështirë Në sistemin arsimor zviceran, shkollimi i mesëm profesional kërkon gjetje të vendit praktik ku zhvillohet përvoja varësisht nga profesioni: spitale, kopshte fëmijësh, farmaci, institucione sociale etj. Valbona bëri praktikë në këto fusha, në të cilat ishte fokusuar ëndrra e saj profesionale.
Prandaj, fillimisht ajo kreu praktika në spitale dhe kopshte fëmijësh, si dhe në sektorë të farmacisë e të shërbimeve sociale. Megjithatë, rruga drejt një kualifikimi të plotë nuk ishte e lehtë dhe as fat nuk kishte. Pavarësisht nga kërkesat e vazhdueshme në shumë institucione të kantonit St.
Gallen dhe më gjerë, ajo më shpesh u përball me mbyllje dyersh dhe mungesë solidariteti që t’i krijohej mundësi për shkollim profesional në drejtimet që dëshironte. Kjo sfidë për të gjetur një institucion a organizatë përfshinte një gjeografi të gjerë kërkimesh dhe përpjekjesh, si në: Rorschach, Rorschacherberg, Goldach, St. Gallen, Rheineck, St.
Margarethen, Lachen-Walzenhausen, Altstätten, Flawil, Wattwil, Uznach, Wil, Arbon, Kreuzlingen, Romanshorn, Fraunfeld, Zürich, Wintethur, Winkel-ZH, Uster, Schaffhausen, Neuhausen, e shumë qytete të tjera.
Kjo nuk ishte dëshirë, ishte më shumë sakrificë për një vajzë, e cila ishte e gatshme të udhëtonte aq larg rreth dy orë vetëm njëri drejtim, për të siguruar vendin e punës, dhe pastaj për t’u sistemuar në procesin edukativ e arsimor të Zvicrës. Pavarësisht nga vështirësitë, ajo nuk u dorëzua. Më vonë u orientua në drejtimin e tregtisë dhe kontabilitetit, të cilin e përfundoi me sukses.
Punimi i saj i diplomës ishte me një simbolikë të veçantë: KOSOVA, të cilën ajo e paraqiti me përkushtim të thellë. Në këtë rrugëtim dhe në këto përpjekje, Valbona nuk e ndali asnjëherë përpjekjen për vetëzhvillim dhe edukim. Ajo perfeksionoi gjuhën gjermane dhe fitoi Diplomën e përkthyeses në “HDS – Klein Goethe Diplom”.
Kjo diplomë i mundësoi të punonte si përkthyese zyrtare në institucione shkollore, sociale dhe gjyqësore në nivel qyteti dhe kantoni.
Në të njëjtën kohë, ajo u shqua edhe në fushën e përkthimit letrar: Për një kohë të shkurtër ka përkthyer tekste të ndryshme letrare, ndër të tjera edhe poezitë dhe biografinë e axhës së saj, disa artikuj të ndryshëm nga shtypi zviceran, si dhe ka konkurruar në mënyrë anonime, “me shifër”, në konkurse letrare të asaj kohe.
Ndërsa në periudhën 1998-2000, Valbona ka shkruar edhe poezi të shumta dhe ka realizuar vizatime artistike, të cilat bashkërisht e përbëjnë këtë përmbledhje me poezi.
Stabilizimi profesional dhe familja Me kalimin e kohës, Valbona vazhdoi kualifikime të tjera profesionale, duke u certifikuar si instruktore për përgatitjen e kandidatëve për patentë shoferi, si dhe për kurse të ndihmës së parë dhe sjelljes në trafik, duke u shndërruar në vajzën e parë shqiptare në këtë profesion në regjionin e saj dhe madje në tërë kantonin St. Gallen.
Më vonë ajo u martua me Valbon Hajdarin nga Buroja e Skenderajt, i cili gjithashtu u specializua në të njëjtën fushë dhe u zhvillua edhe më tej profesionalisht deri në nivelin e ekspertit për të gjitha kategoritë e shoferëve, duke mbajtur ligjërata në shkollime të avancuara për shoferë profesionistë, në njërën nga kompanitë më të mëdha të autotransportit në St. Gallen.
Së bashku, ata ndërtuan jetën e tyre familjare dhe një bashkëpunim profesional të suksesshëm, duke u shndërruar për vite me radhë në një shembull të punës dhe përkushtimit profesional në regjionin Rorschach-Rheinthal. Sot, Valbona jeton në Rorschach (kantoni St. Gallen), së bashku me burrin e saj dhe tre fëmijët: Albanin, Jonën dhe Hanën.
Përmbyllje Historia e Valbonë Dibranit është një rrëfim i qëndresës, përshtatjes dhe transformimit. Ky shënim është portreti i një brezi që e ndërtoi veten mes mungesës dhe mundësive, mes largësisë dhe identitetit, duke dëshmuar se suksesi nuk është dhuratë, por një proces i gjatë i durimit dhe i vetëbesimit.
