Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka deklaruar se e ka ngritur zyrtarisht te i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, çështjen e deklaratës së një ministre serbe, të cilën e ka cilësuar si mbështetje të hapur për spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Snezhana Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, tha, mes tjerash, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit – ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës – “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998″.
Ndërkaq, përmes një postimi në rrjetin social “X”, Agron Bajrami tha se deklarata e ministres serbe pasqyron atë që, sipas tij, mendon edhe presidenti i Serbisë, duke shtuar se dallimi është se ministrja “thjesht nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë”, ndërsa presidenti tani, sipas tij, po përpiqet të minimizojë pasojat.
Ai vlerësoi se deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarët serbë përbëjnë shkelje të qartë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023. Sipas Bajramit, preambula e marrëveshjes i obligon palët të “kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës” dhe njeh se paprekshmëria e kufijve, si dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, janë kushte themelore për paqe.
“Distancimi i Serbisë është thjesht premtim bosh – jo pendim i sinqertë apo refuzim i krimeve të epokës së Millosheviqit”- ka shkruar ndër të tjera Bajrami më . Bajrami theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por vetëm nëse respektohen në mënyrë të vazhdueshme parimet themelore të tij.
“Çfarë vlere ka të flasësh për zbatim kur Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjet me fjalë dhe vepra?”- përfundoi ai në reagimin e tij. Kosova ka paditur Paunoviqin pas deklaratës për “spastrimin etnik”.
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka shpallur person të padëshirueshëm (non grata) ministren Paunoviq, duke i ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.
Në arsyetimin e Ministrisë thuhet se Paunoviq përmes deklaratave të saj publike në mënyrë të vazhdueshme ka shfaqur qëndrime që synojnë të cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Paunoviq ka rikonfirmuar se Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë nga projekti i spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Sipas Sveçlës, një politikë e tillë ishte tentuar edhe nga ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, të cilin ai e cilësoi si “kasapi i Ballkanit”.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Paunoviqit. Gërvalla ka thënë se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit.
“Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike.
Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore”, ka shkruar Gërvalla në Facebook më . Ndërkohë, Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë ka njoftuar se është dorëzuar kërkesa për shkarkimin e ministres Paunoviq.
Ai ka bërë të ditur se iniciativës së grupit parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, i janë përgjigjur edhe 47 deputetë të tjerë.
“Pra, pesëdhjetë e tre deputetë të opozitës i kanë dorëzuar Kryeministrit Gjuro Macut një kërkesë zyrtare që, pa asnjë vonesë, t’i propozojë Kuvendit Popullor shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj me të cilat ajo arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve nëntëdhjetë.”- ka njoftuar Kamberi.
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkaq, Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, tha se nuk arrin ta imagjinojë që ministrja e Serbisë, Snezhana Paunoviq, vazhdon të mbetet ministre pas kësaj deklarate.
Kurse, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka reaguar duke thënë se deklarata e Paunoviqit rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë vendit.
Paunoviq u arsyetua duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga intervista ishte shkëputur vetëm një pjesë prej shtatë sekondash, duke u shndërruar, sipas saj, në një çështje politike.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 15 korrik se deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, nuk pasqyron as vullnetin e tij dhe as atë të Qeverisë serbe, duke theksuar se politika e shtetit është dialogu dhe kurrë spastrimi etnik. “Ishte një deklaratë e pamenduar dhe e papërgjegjshme.
Nuk duhet të dilet në publik me deklarata të tilla dhe kjo nuk është politika ime, as politika e Qeverisë së Serbisë. Është detyra jonë ta themi këtë qartë”, u tha Vuçiq gazetarëve në Kiev, ku po merr pjesë në Samitin Evropa Juglindore-Ukraina.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli – teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
