Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më i afërt dhe partneri strategjik i Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Konjufca njoftoi se ka marrë pjesë në takimin ministror mbi rritjen e rrezikut nga terrorizmi politik, të organizuar në Washington nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Ai theksoi se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj në çdo nismë që forcon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe i shërben paqes dhe sigurisë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati ynë më i afërt dhe partneri ynë strategjik.
Bashkëpunimi me SHBA-në dhe me vendet partnere është thelbësor për ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për mbrojtjen e vlerave mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona”, ka shkruar Konjufca.
Ai e ka vlerësuar si të rëndësishme pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim, duke theksuar se ajo i jep vendit mundësinë të kontribuojë në parandalimin e terrorizmit politik dhe në forcimin e mekanizmave që mbrojnë shoqëritë demokratike nga këto kërcënime.
“Kjo dukuri po merr forma gjithnjë e më të organizuara dhe po vepron përtej kufijve shtetërorë, duke shfrytëzuar rrjetet ndërkombëtare, financimin dhe hapësirën digjitale për të cenuar stabilitetin dhe institucionet demokratike”, ka shkruar Konjufca. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
