Zhvillimi kërkon kapital

0%

Nga: Kujtim Dobruna Shpërndaje në: Pyetja nuk është nëse Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për investime sepse përgjigja është e qartë. Pyetja është nëse do të arrijmë t’i dallojmë projektet e mira nga ato të këqija, pa rënë në grackën e refuzimit automatik të gjithçkaje që vjen nga jashtë.

Historia ekonomike e Europës tregon se prosperiteti nuk u ndërtua mbi frikën nga kapitali, por mbi aftësinë për ta tërhequr dhe vënë atë në shërbim të zhvillimit ekonomik Pak tema ngjallin reagime më të forta në Shqipëri dhe Kosovë sesa investimet e huaja. Mjafton të shpallet një projekt i madh turistik, energjetik apo industrial dhe debati largohet shpejt nga ekonomia.

Ngrehen pyetje për pronësinë, ndikimin në mjedis, transparencën, interesin publik dhe, herë pas here, për motive të fshehta. Duke pasur parasysh historinë e rajonit, këto shqetësime janë plotësisht të kuptueshme dhe legjitime. Qytetarët duhet të bëjnë pyetje të vështira e pushtetarët duhet të jenë të gatshëm të japin përgjigje. Megjithatë, debati shpesh merr një drejtim të padobishëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Skepticizmi ndaj një projekti të caktuar shndërrohet në skepticizëm ndaj vetë investimeve. E kjo më kujton atë që Milan Kundera e quajti “Lehtësia e padurueshme e qenies”, për shkak të lehtësisë së padurueshme me të cilën nxjerrim përfundime pa i njohur faktet.

Një projekt shpallet i mirë ose i keq, një investitor dënohet ose glorifikohet, shumë kohë para se të shqyrtohen projektet, procedurat, financimi apo ndikimet reale. Ky është një luks që vendet në zhvillim nuk mund t’ia lejojnë vetes. Pse të gjithë garojnë për investime? Në mbarë Europën, qeveritë garojnë në mënyrë agresive për tërheqjen e kapitalit të huaj.

Franca së fundmi njoftoi investime të reja prej rreth 93 miliardë eurosh në kuadër të nismës “Choose France”. Gjermania po garon për projekte industriale, Irlanda vazhdon të tërheqë kompani globale të teknologjisë dhe farmaceutikës. E njëjta gjë vlen për Poloninë, Holandën, Italinë, Zvicrën, Spanjën dhe shumë vende të tjera. Këto vende nuk vuajnë nga mungesa e kapitalit.

Ato kanë tregje financiare të zhvilluara, fonde pensionale, institucione të forta dhe qasje në burime të konsiderueshme financiare vendore. Megjithatë, ato investojnë energji të madhe politike për tërheqjen e investitorëve.

Arsyeja është se investimet krijojnë vende pune, sjellin teknologji, inovacion dhe dije menaxheriale, forcojnë zinxhirët e furnizimit dhe të vlerës, rrisin eksportet dhe produktivitetin. Shpesh ato hapin dyer në tregje ndërkombëtare që bizneset vendore e kanë të vështirë t’i arrijnë vetë.

Nëse ekonomitë më të pasura të botës konkurrojnë kaq fort për investime, atëherë është vështirë të argumentohet se vendet më pak të zhvilluara mund të përballojnë luksin e indiferencës. Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për kapital Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë, Kosovës dhe pjesës më të madhe të Europës Juglindore varet nga investimet e huaja.

Të dyja vendet kanë nevojë për infrastrukturë moderne, industri konkurruese, energji të pastër, vende pune cilësore dhe standard më të lartë jetese. Të dyja synojnë të afrohen me nivelin ekonomik të Bashkimit Europian dhe të krijojnë mundësi që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend, jo ta kërkojnë atë në mërgim.

Këto ambicie kërkojnë investime që maten me miliarda euro, jo me miliona, investime nga burime të ligjshme dhe transparente, jo nga pastrimi i parave apo korrupsioni. Potenciali financiar vendor nuk mjafton për ta financuar këtë transformim, gjë që nuk vlen vetëm për Shqipërinë e Kosovën.

Pak vende në këtë fazë zhvillimi kanë arritur të modernizojnë ekonomitë e tyre pa kapital të konsiderueshëm nga jashtë. Nuk e bëri as Irlanda, as Polonia, as Estonia. Transformimi i Irlandës nga një prej ekonomive më të varfra të Europës Perëndimore në një qendër globale të teknologjisë, farmaceutikës dhe shërbimeve të avancuara u mbështet në dekada investimesh të huaja.

Ngritja ekonomike e Polonisë pas rënies së komunizmit u përshpejtua nga kompani ndërkombëtare që sollën kapital, dije dhe qasje në tregjet globale. Estonia ndoqi një rrugë të ngjashme. Asnjëra prej këtyre vendeve nuk i pa investimet e huaja si kërcënim, por si një mjet për zhvillim kombëtar. Paradoksi i Shqipërisë dhe Kosovës Këtu qëndron edhe paradoksi.

Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për investime më shumë se shumica e vendeve tjera europiane, por njëkohësisht konkurrojnë për një grup më të kufizuar investitorësh. Ndryshe nga disa vende të rajonit, të dyja kanë zgjedhur ta ndërtojnë të ardhmen e tyre brenda hapësirës euro-atlantike. Kosova në veçanti ka shmangur orientimin e zhvillimit përmes kapitalit rus apo kinez.

Shqipëria ka pasur disa investime kineze ndër vite, por orientimi i saj strategjik mbetet qartësisht perëndimor. Kjo është rruga e duhur, por edhe rruga më e vështirë. Investitorët seriozë perëndimorë nuk binden vetëm me premtime politike. Ata kërkojnë siguri juridike, institucione funksionale, mbrojtje të pronës private, standarde mjedisore dhe parashikueshmëri e qëndrueshmëri ligjore.

Përpara se të investohet një euro, projekti kalon nëpër duart e juristëve, auditorëve, inxhinierëve, ekspertëve të mjedisit, bankave dhe rregullatorëve. Verifikohen pronësia, burimi i fondeve, titujt e pronës, lejet, ndikimi në mjedis dhe pajtueshmëria me ligjin. Për projektet që zhvillohen në Europë, ky kontroll është edhe më rigoroz.

Kjo është një nga arsyet pse investimet perëndimore janë të vështira për t’i tërhequr, por njëkohësisht mbeten tejet të rëndësishme dhe të nevojshme. Rasti i bregdetit shqiptar Debati rreth projekteve turistike në Shqipëri meriton më shumë thellësi sesa po shohim sot në diskutimi publik. Bregdeti shqiptar është një nga pasuritë turistike më të bukura dhe më pak të zhvilluara në Europë.

Pyetjet për ndikimin në mjedis, qasjen publike, strukturën e pronësisë, burimet e financimit dhe përfitimet afatgjata janë plotësisht legjitime. Çdo projekt i madh duhet të analizohet me kujdes. Por ekziston edhe një pyetje tjetër. Si mund të ndërtojë Shqipëria një industri turistike të nivelit më të lartë pa investime të fuqishme?

Resortet luksoze, marinat dhe infrastruktura mbështetëse kërkojnë qindra milionë, në disa raste miliarda euro. Asnjë vend me nivelin aktual të kapitalit vendor të Shqipërisë nuk ka ndërtuar një industri moderne turistike vetëm me burimet e veta. Në mbarë Europën, kapitali ndërkombëtar ka financuar shumë prej projekteve që sot konsiderohen histori suksesi.

Në vitin 2025, kompanitë amerikane ishin investitori më i madh i huaj në Europë, me gjithsej 943 projekte investimi. Edhe ekonomitë më të zhvilluara europiane vazhdojnë të konkurrojnë për kapitalin amerikan dhe investimet ndërkombëtare. Kapitali ka lëvizur gjithmonë nga vendet ku është i bollshëm drejt vendeve ku është më i pakët.

Kështu ka funksionuar zhvillimi ekonomik për shekuj me radhë. Prandaj pyetja që duhet të shtrojmë nuk është nëse kapitali i huaj duhet të marrë pjesë në zhvillimin e Shqipërisë apo Kosovës, por nëse projektet dhe burimet e financimit janë të ligjshme, transparente, të qëndrueshme për mjedisin dhe në interes të shoqërisë ku zhvillohen.

Të mos ngatërrojmë mjetin me qëllimin Për Shqipërinë dhe Kosovën, rreziku nuk është se do të marrin shumë investime të huaja, por se do të vazhdojnë të marrin shumë pak nga to. Refuzimi i projekteve të këqija është pjekuri institucionale, kërkesa për transparencë është pjekuri demokratike, mbrojtja e mjedisit është pjekuri kombëtare.

Por trajtimi i investimeve si problem në vetvete rrezikon të ngatërrojë mjetin me qëllimin. Qëllimi është zhvillimi, e zhvillimi kërkon kapital. Vendet që arrijnë të zbusin hendekun me botën e zhvilluar nuk janë ato që i frikësohen investimeve, po ato që mësojnë t’i tërheqin e t’i përdorin në funksion të interesit të tyre kombëtar afatgjatë. E këtu kthehemi te Kundera.

Jo te “Lehtësia e padurueshme e qenies”, por te lehtësia e padurueshme me të cilën shpesh nxjerrim gjykime para se të njohim faktet. Në fund të fundit, pyetja nuk është nëse Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për investime sepse përgjigja është e qartë.

Pyetja është nëse do të arrijmë t’i dallojmë projektet e mira nga ato të këqija, pa rënë në grackën e refuzimit automatik të gjithçkaje që vjen nga jashtë. Historia ekonomike e Europës tregon se prosperiteti nuk u ndërtua mbi frikën nga kapitali, por mbi aftësinë për ta tërhequr dhe vënë atë në shërbim të zhvillimit ekonomik. (Autori është ekonomist dhe themelues i ECIKS – www.eciks.com)

Burimi: Koha