Qendra e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s insiston që rajoni i Ohrit të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Në dokumentin e publikuar së fundmi prej tyre e që përmban analizën e gjendjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore vlerësohet se kërcënimet ndaj vlerës së jashtëzakonshme universale të Rajonit të Ohrit ende nuk janë eliminuar.
Sipas vlerësimit të UNESCO-s, përparimi në zbatimin e rekomandimeve mbetet i kufizuar dhe rajoni vazhdon të përballet me rreziqe serioze për shkak të dobësive në menaxhim, urbanizimit të pakontrolluar, ndërtimeve pa leje, ndotjes dhe vonesave në projektet kyçe infrastrukturore. Vërejtja kryesore ka të bëjë me faktin se sistemi i mbrojtjes nuk funksionon si një tërësi e vetme.
Edhe pse ekzistojnë institucione, komisione, strategji dhe plane, UNESCO vlerëson se ato nuk kanë sjellë ndryshimet e qëndrueshme të nevojshme për ruajtjen e rajonit. Organizata kërkon që menaxhimi i Rajonit të Ohrit të jetë realisht i përbashkët dhe ndërkufitar, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Një nga problemet kryesore është mungesa e një Vlerësimi Strategjik të plotë të Ndikimit në Mjedis, i cili duhet të tregojë pasojat kumulative të të gjitha projekteve infrastrukturore, turistike dhe urbanistike.
UNESCO paralajmëron se pa një analizë të tillë nuk mund të vlerësohet me saktësi presioni që projektet e planifikuara ose ato që tashmë po realizohen ushtrojnë mbi liqenin, bregun, habitatet natyrore dhe trashëgiminë kulturore.
Vëmendje e veçantë kërkohet për projektet e mëdha infrastrukturore, përfshirë ato që lidhen me Korridorin 8, për të cilat duhet të përcaktohet nëse mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi zonën e mbrojtur. Ndërtimet pa leje mbeten një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet Rajoni i Ohrit.
Në dokument thuhet se nuk është e qartë nëse gjatë periudhës raportuese është shembur ndonjë objekt i ndërtuar në mënyrë të paligjshme. UNESCO kërkon sërish një analizë të detajuar të të gjitha ndërtimeve pa leje dhe një vlerësim të ndikimit të tyre mbi trashëgiminë. Objektet që përbëjnë kërcënim duhet të hiqen ose ndikimi i tyre negativ të zvogëlohet.
Si shembull i problemeve në zbatimin e ligjit përmendet sërish rasti i hotelit në Lagadin. Gjithashtu, UNESCO vlerëson se nuk ka përparim lidhur me 19 planet e detajuara urbanistike, për të cilat më parë ishte konstatuar se mund të kenë ndikim negativ mbi trashëgiminë botërore.
Kërkohet pezullimi i ndryshimeve të reja urbanistike derisa të përfundojë vlerësimi i plotë strategjik, si dhe përshpejtimi i përgatitjes së planeve të përgjithshme urbanistike për Ohrin dhe Strugën. Shqetësim i veçantë është shprehur edhe për kompleksin “Gorica 3”.
UNESCO kërkon që aktivitetet ndërtimore të ndërpriten derisa të kryhen analizat e nevojshme për ndikimin mbi zonën e mbrojtur. Problem serioz mbeten edhe ujërat e zeza dhe menaxhimi i mbetjeve. Sipas UNESCO-s, përparimi në këtë fushë është i kufizuar, ndërsa ndotja vazhdon të përbëjë kërcënim për ekosistemin e Liqenit të Ohrit.
Projektet për rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit kolektor janë vonuar, ndërsa problemet me ujërat e zeza në Strugë ende nuk janë zgjidhur plotësisht. Nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkohet të përshpejtojnë urgjentisht projektet për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza, si dhe të krijojnë një infrastrukturë të përshtatshme rajonale për menaxhimin e mbetjeve.
UNESCO paralajmëron gjithashtu se po vonohet mbrojtja ligjore e zonave kyçe natyrore. Shpallja e Liqenit të Ohrit monument natyre dhe e Kënetës së Studençishtës park natyror është në procedurë që nga viti 2021, por ende nuk ka afate të qarta për përfundimin e saj.
Për projektvendimin duhet të votojë Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 48-të, i cili do të mbahet nga 19 deri më 29 korrik në Busan të Koresë së Jugut. Komiteti mund ta miratojë vendimin, ta ndryshojë ose ta shtyjë sërish votimin. Qeveria e Maqedonisë së Veriut më herët kishte shprehur optimizëm se Ohri do ta ruajë statusin aktual.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se pret një rezultat pozitiv, duke rikujtuar se edhe në vitin 2025 një propozim i ngjashëm ishte shtyrë pas ndërhyrjes së shteteve anëtare.(koha.mk)
