Eurodeputeti çek, Tomáš Zdechovský, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe duke kërkuar pasoja në procesin e integrimit evropian të Serbisë.
Zdechovský tha se ishte i tronditur nga ajo që dëgjoi nga ministrja serbe, duke theksuar se retorika e saj është e papajtueshme me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. “Isha plotësisht i shokuar nga ajo që dëgjova nga ministrja e Serbisë. Nuk ishte vetëm tronditje, por diçka krejtësisht e papranueshme.
Nëse kjo grua është vërtet ministre, ne duhet ta nxjerrim Serbinë nga negociatat”, deklaroi eurodeputeti çek. Ai e krahasoi deklaratën e Paunoviqit me relativizimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore. “Është sikur dikush, pasi viziton Aushvicin pas Luftës së Dytë Botërore, të thotë se Hitleri ishte zgjidhja më e mirë për çështjen hebraike.
Kjo është plotësisht e papranueshme”, u shpreh Zdechovský. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të japë një mesazh të qartë se askush që përdor një retorikë të tillë nuk mund të bëhet pjesë e bllokut evropian. “Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë: askush me këtë lloj retorike nuk do t’i bashkohet Bashkimit Evropian”, theksoi ai.
Deklaratat e Zdechovskýt vijnë pas reagimeve të shumta ndërkombëtare ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila është kritikuar gjerësisht për deklaratat e saj lidhur me Kosovën, të cilat janë cilësuar si nacionaliste dhe nxitëse. 🇨🇿 Czech Member of the European Parliament Zdechovský: We should take Serbia out of negotiations with the EU if Paunovic remains a Minister.
I was totally shocked by what I heard from her. pic.twitter.com/edj5kXntWS — Admirim (@admirim) July 16, 2026
