Mbrojtësi i majtë, Yll Hoxha, ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e FC Lirisë, duke mbyllur kështu bashkëpunimin me klubin prizrenas. Përmes një mesazhi publik, Hoxha falënderoi drejtuesit, bashkëlojtarët, trajnerët, stafin dhe tifozët “arpagjikë” për mbështetjen dhe respektin e treguar gjatë kohës së tij te Liria.
“Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që kemi kaluar, arritëm deri në barazh, duke dhënë maksimumin deri në fund. Jam krenar për çdo moment të këtij rrugëtimi”, ka shkruar Hoxha. Mbrojtësi e mbylli mesazhin e tij me një falënderim të veçantë për FC Lirinë, ndërsa tani pritet të shihet se ku do ta vazhdojë karrierën e tij.
