Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Irani i ka kërkuar lëvizjes Houthi në Jemen të jetë e gatshme të mbyllë rrugën detare të naftës në Detin e Kuq nëse Shtetet e Bashkuara godasin infrastrukturën energjetike iraniane, kanë thënë të enjten për Reuters tri burime, duke ngritur një kërcënim të ri serioz për furnizimet globale me energji.
Sipas dy burimeve të larta iraniane dhe një burimi rajonal të njohur me çështjen, ideja është diskutuar brenda udhëheqjes së Republikës Islamike dhe mesazhi u është përcjellë aleatëve Houthi të Iranit. Burimet kanë thënë se Houthit janë njoftuar së fundmi për këtë kërkesë të Teheranit, e cila nuk ishte raportuar më parë.
Ata nuk kanë dhënë hollësi se si ishte përcjellë mesazhi apo nëse kjo ndodhi pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump, të martën, për të sulmuar infrastrukturën energjetike të Iranit.
Një burim pranë Houthive ka thënë se grupi ka përfunduar përgatitjet për të sulmuar anijet tregtare, duke vendosur raketa dhe dronë pranë ngushticës Bab el-Mandeb, hyrja jugore e Detit të Kuq, në zonat malore të Jemenit që mbikëqyrin Hodeidahun dhe Gjirin e Adenit, dhe tani pret vetëm urdhrin për të nisur operacionin.
Çdo kërcënim ndaj Detit të Kuq dhe ngushticës Bab el-Mandeb rrezikon të përkeqësojë ndjeshëm krizën globale të energjisë, e cila është shkaktuar tashmë nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, duke theksuar rreziqet e mëdha që sjell përshkallëzimi i ri i konfliktit.
Edhe Botë 4 muaj më parë Presidenti iranian u kërkon falje për sulmet shteteve të Gjirit Persik Teksa Ngushtica e Hormuzit tashmë është e mbyllur, çdo sulm i Houthive ndaj anijeve ose porteve në Detin e Kuq do të bënte që dy rrugët kryesore të eksportit të naftës nga Lindja e Mesme të ndërpriteshin njëkohësisht, duke hapur një front të ri si në krizën energjetike ashtu edhe në konfliktin më të gjerë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas burimit pranë Houthive, përfaqësues të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), të cilët ndodhen tashmë në Jemen, do të marrin vendimin se kur do të mbyllet ngushtica Bab el-Mandeb.
Në një tjetër shenjë të përshkallëzimit të tensioneve në rajon, Houthit kanë lëshuar raketa drejt Arabisë Saudite pasi akuzuan mbretërinë se kishte bombarduar të hënën një aeroport nën kontrollin e tyre, duke i dhënë fund armëpushimit katërvjeçar mes palëve.
