Protesta të rralla kanë shpërthyer të enjten () në Ukrainë për shkak të shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, ndërsa përplasjet ndërmjet reformatorit dhe gjeneralit të lartë të Kievit dolën në shesh gjatë rishikimit të dytë të kabinetit të kohës së luftës nga presidenti brenda vitit, raporton Reuters .
Riorganizimi i Volodymyr Zelenskyt ka nxitur zemërimin publik për shkak të përjashtimit të Fedorovit, ekspertit 35 vjeç të teknologjisë i cili ka synuar të riformësojë ushtrinë e pakontrolluar të Kievit në forcë luftarake më efikase që të përballet me Rusinë.
Qindra njerëz dolën në rrugë në kryeqytetin Kiev dhe qytete të tjera ukrainase duke kërkuar shpjegime, dhe ndërkohë dorëheqje dha një komandant i lartë i luftës ajrore të Kievit.
Qeveria e re nën shefin ekzekutiv të energjisë, Sergii Koretskyi, mund ta emërojë ministrin aktual të Brendshëm, Ihor Klymenko, në vend të Fedorovit, kanë thënë ligjvënësit, një veprim që ka tronditur besimin në udhëheqjen e Zelenskyt.
Duke folur para gazetarëve në Kiev, Fedorov ka thënë se kishte refuzuar ofertën e Zelenskyt që të shërbente si këshilltar dhe ka akuzuar shefin e ushtrisë, Oleksandr Syrskyi, për bllokimin e iniciativave të ministrisë dhe dështimin për t’i adresuar problemet drejtpërdrejt.
“Në vend që të gjente një shteg për ta mposhtur Rusinë, ai ka gjetur shteg për ta ndarë vendin”, ka thënë ai, i veshur me bluzën e tij karakteristike të përditshme dhe xhinse. Syrskyi, 60 vjeç, ka qenë në këtë detyrë që nga fillimi i vitit 2024, por është përballur me kritika për stilin e ngurtë të komandimit.
Madje disa anëtarë të shërbimit e kanë akuzuar se menaxhimi i tij po rezulton me humbje të shumta trupash. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reutersit për koment. Zelensky ende nuk ka komentuar publikisht lëvizjen për shkarkimin e Fedorovit.
Ai u ka deklaruar të mërkurën gazetarëve se pret që Ministria e Mbrojtjes dhe ushtria të punojnë për çështjet kryesore me unitet më të madh. Ndërsa Koretskyi mori mbështetjen të enjten, votimi parlamentar për ministrat e tjerë zor se pritet të marrë mbështetjen e shumicës.
Ukraina është në pozicionin e saj më të mirë në fushëbetejë që nga fundi i vitit 2022, duke goditur sektorin e naftës dhe logjistikën ushtarake të Rusisë në sulme me dronë dhe raketa që kanë dobësuar makinerinë e luftës së Moskës.
Por forcat e Kievit ende përballen me përparime të forta ruse në lindje mes një mungese kritike të trupave tokësore, si dhe mungesës së mbrojtjes ajrore, ndërsa Moska po shton sulmet me raketa balistike. “Në momente të vështira, Zelensky sillet si hero”, ka shkruar Vitalii Sych, kryeredaktor i portalit ukrainas NV.
“Por nuk duhet të harrojmë se momentet e vështira shpesh shkaktohen nga vendimet e tij idiote”. Pavlo Yelizarov, zëvendëskomandant i forcave ajrore të Ukrainës dhe udhëheqës kyç në luftën me dronë, ka thënë po jep dorëheqjen si kundërpërgjigje ndaj shkarkimit të Fedorov – duke e quajtur “të keqe të madhe” për mbrojtjen e Ukrainës. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
