Një total prej 20 vatrash zjarri janë raportuar në Shqipëri deri në orën të së dielës, 30 gusht. Shtatë prej tyre mbeten aktive, ndërsa tri të tjera janë nën mbikëqyrje. Për përballimin e situatës janë angazhuar 284 forca operacionale, 33 automjete zjarrfikëse, 80 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore janë në qarqet e Tiranës, Dibrës, Korçës dhe Durrësit. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, raporton A2 CNN, transmeton Sinjali. Në zonën e Dajtit, drejt Qafë-Priskës, po ndërhyhet me zjarrfikës, forca të AdZM-së dhe efektivë ushtarakë, ndërsa operacioni mbështetet edhe nga një helikopter.
Situata më e ngarkuar paraqitet në qarkun e Dibrës, ku janë angazhuar dhjetëra forca në Vajkal dhe Sllatinë. Vatra aktive ka edhe në Lundre të Matit dhe në Ballenjë të Martaneshit. Në Qafën e Lugut në Vithkuq, zjarri në sipërfaqe pyjore do të monitorohet gjatë natës për shkak të terrenit të vështirë.
Ndërkohë, zjarri në Zallë të Fushë-Krujës është vënë nën kontroll, ndërsa vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit po mbahen nën mbikëqyrje. Gjatë ditës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se po e monitoron situatën në të gjithë vendin dhe se forcat mbeten në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
