Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të themelimit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) lansoi sot modulin elektronik të trajnimit për konfliktin e interesit dhe etikën, një platformë e krijuar për të mbështetur ngritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve publikë dhe forcimin e kulturës së integritetit në administratën publike.
Sipas njoftimit, moduli u prezantua gjatë konferencës me temën “Edukimi i Vazhdueshëm – Çelësi i Parandalimit të Konfliktit të Interesit”, e organizuar në kuadër të “Javës së Agjencisë”.
Në fjalën e tij hyrëse, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, theksoi se edukimi i vazhdueshëm i zyrtarëve publikë është një nga mekanizmat më të rëndësishëm për parandalimin e konfliktit të interesit dhe forcimin e integritetit institucional.
“Me këtë platformë do t’u ofrojmë zyrtarëve publikë mundësinë që, përmes një sistemi të thjeshtë elektronik, të njihen me bazat e parandalimit të konfliktit të interesit. Platforma është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike dhe me mbështetjen e GIZ-it gjerman”, citohet Buleshkaj në komunikatë.
Ai bëri të ditur se si hap i radhës, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, synohet që trajnimi përmes këtij moduli të bëhet pjesë e zhvillimit profesional të shërbyesve civilë. Moduli elektronik u prezantua nga zyrtari i lartë TI dhe sisteme në APK, z. Fazli Stollaj, i cili shpjegoi funksionalitetin e platformës dhe mënyrën e përdorimit të saj.
Ai sqaroi se moduli përbëhet nga 10 tema që ofrojnë njohuritë themelore për parandalimin e konfliktit të interesit dhe është zhvilluar mbi platformën Moodle, një nga sistemet më të përdorura ndërkombëtarisht për mësim elektronik, e cila mundëson qasje të sigurt, fleksibile dhe të njëkohshme për një numër të madh përdoruesish.
Pas lansimit të modulit u zhvillua paneli i diskutimit me temën “Edukimi i Vazhdueshëm – Çelësi i një Administrate Publike me Integritet”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të “Javës së Agjencisë”, e cila po zhvillohet me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë, nën moton “20 Vjet Transparencë dhe Integritet – Duke Rritur Besimin, Duke Parandaluar Korrupsionin”.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit mbetet e përkushtuar në zhvillimin e mekanizmave modernë që forcojnë integritetin institucional, mbështesin zhvillimin profesional të zyrtarëve publikë dhe kontribuojnë në parandalimin e korrupsionit në Republikën e Kosovës.
