Komuna e Malishevës ka njoftuar se po vazhdon punimet për mirëmbajtjen e ambientit dhe hapësirave të gjelbra në qytet, në kuadër të angazhimeve të Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Sipas njoftimit të komunës, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Izet Hoti, së bashku me zyrtarin për ambient, Naser Morina, kanë inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në parkun e qytetit, një prej hapësirave më të frekuentuara nga qytetarët. Me këtë rast, Hoti theksoi se mirëmbajtja e vazhdueshme e hapësirave publike mbetet një ndër prioritetet e drejtorisë.
“Mirëmbajtja e ambientit dhe e hapësirave të gjelbra është një prioritet për Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Synimi ynë është që qytetarëve t’u ofrojmë një mjedis të pastër, të rregullt dhe të gjelbër, ku mund të kalojnë kohën e lirë në kushte sa më të mira”, ka deklaruar ai. Drejtori i Shërbimeve Publike u bëri thirrje edhe qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e hapësirave publike.
“Apelojmë edhe te qytetarët që të kontribuojnë në ruajtjen e këtyre hapësirave, pasi ato janë pasuri e përbashkët”, ka shtuar Hoti. Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se aktivitetet për mirëmbajtjen e ambientit dhe gjelbërimit do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me synim përmirësimin e kushteve në hapësirat publike të qytetit.
