Bislimi për dyshimet për helmim: Strishot rezultuan negative

0%

Shpërndaje në: Donjet Bislimi nga Ekologjia Humane në kuadër të Instituti të Shëndetësisë Publike ka thënë se analizat mikrobiologjike nga rastet e dyshimta për helmim së fundmi, kanë rezultuar negative. Në “60 Minuta” në KTV, Bislimi ka thënë se aktualisht është herët të konstatohet puna e helmimit apo lokalizimi se ku ka mundur të ndodhte një gjë e tillë.

Më 13, 14 dhe 15 korrik, në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare janë hospitalizuar 31 pacientë nën dyshimin për helmim. Pas analizave 11 raste kanë rezultuar me bakterin salmonella. Por sipas Bislimit, ky bakter është më i shpeshti.

Për shkak se rezultatet në strishot nga ushqimi dhe mjetet ushqimore kanë rezultuar negative, sipas Bislimit, nuk mund të ketë korrelacion direkt se si kanë rezultuar pozitive mostrat me salmonellë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Të gjitha mostrat që janë pranuar në IKSHPK, në mikrobiologji, kanë rezultuar negative, edhe në mostrat e marra nga ushqimi, por edhe nga strishot e mjeteve ku ushqimi është në kontakt me ato mjete”, ka thënë Bislimi.

“Njëra ndër metodat për t’u diagnostikuar është analiza mikrobiologjike e feceseve dhe në disa mostra ka rezultuar salmonella që është më e famshmja e verës si kontaminuesi më i madh i produkteve ushqimore – sidomos nga vezët e mishi i bardhë.

Pasi ka pasur raste pozitive me salmonellë e kanë dalë negative në strishot e ushqimit s’mund të bëjmë korrelacion direkt se si kanë rezultuar, por mund të ngrisim hipoteza dhe i vëzhgojmë e i anketojmë, që jemi në proces, se ku janë ushqyer. Krijohet ekipi, anketohen e anketohen familjarët dhe shkojnë te analizat statistikore.

Është herët të dihet puna e helmimit, por edhe në verë për shkak të frekuentimit të lartë të qytetarëve në lokale të ndryshme gastronomike, është zor të lokalizohet se si ose ku ka ndodhur ekzaktësisht”. Bislimi ka shpjeguar edhe procedurat që ndjek IKSHPK-ja për raste të helmimeve.

Ai thënë se IKSHPK-ja i kryen procedurat duke u iniciuar nga instanca të tjera – si Inspektorati apo vetë operatori ekonomik. Ai ka thënë se ky institut e ka për detyrë t’i marrë mostrat e duhura të ushqimeve, mjeteve ushqimore dhe të njerëzve në kontakt me ushqimin – kur dyshohet për helmime. Sipas tij, rezultatet dalin 48 orë më vonë.

Burimi: Koha