Kapiteni i Bosnjës dhe Hercegovinës, Edin Xheko, ka komentuar humbjen e rëndë ndaj Zvicrës në xhiron e dytë të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror, duke theksuar se ekipi i tij pagoi shtrenjtë gabimet në minutat e fundit. Pas disfatës 4:1 ndaj Zvicrës, Xheko deklaroi se rezultati ishte tepër i thellë në raport me atë që u pa në fushë. “Sigurisht që rezultati është shumë i lartë.
Në fund ishte një humbje e rëndë. E merituar apo jo, nuk arritëm të rezistonim në 20 minutat e fundit, edhe pse të gjithë golat i pësuam në mënyrë naive. Nuk mund të nënvlerësosh asnjë top. Kur morëm kartonin e kuq, duhej të mbylleshim më shumë dhe të mendonim më tepër se si të mos pësonim gol” , tha Xheko.
Ai u ndal edhe te momenti kur mbrojtësi Tarik Muharemoviq u përjashtua me karton të kuq, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak. “Nuk e kam parë mirë situatën, prandaj nuk mund të komentoj. Por sigurisht që ishte një nga momentet që ndikoi që në fund të pësonim katër gola”, u shpreh sulmuesi boshnjak.
Bosnja dhe Hercegovina tashmë e ka përqendrimin te ndeshja e fundit në grup kundër Katarit, e cila mund të jetë vendimtare për fatin e saj në turne. “Edhe Katari nuk është aq i dobët sa mendojnë shumë njerëz. Sot të gjithë luajnë futboll. Do të përpiqemi të fitojmë, edhe pse kjo humbje dhemb shumë. Diferenca e golave mund të jetë gjithashtu e rëndësishme” , përfundoi Xheko.
