Shpërndaje në: Argjentina mund të përballet me masa disiplinore nga FIFA pasi futbollistët e saj festuan fitoren ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës duke shpalosur një pankartë në mbështetje të pretendimeve të vendit të tyre për Ishujt Falkland.
Kampionët në fuqi siguruan fitore dramatike 2:1 ndaj Anglisë në Atlanta, duke përmbysur rezultatin me dy gola në fund të ndeshjes dhe duke siguruar kualifikimin në finalen e së dielës kundër Spanjës.
Pas përfundimit të takimit, lojtarët argjentinas festuan me një pankartë ku shkruhej: “Las Malvinas son Argentinas” (Malvinat janë argjentinase), një slogan që i referohet pretendimit të Argjentinës për sovranitetin mbi Ishujt Falkland (Malvinas sipas argjentinasve).
Ishujt Falkland, territor britanik përtej detit në Oqeanin Atlantik Jugor, mbeten objekt i një mosmarrëveshjeje të gjatë mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës. Dy vendet zhvilluan luftë për ishujt nga prilli deri në qershor të vitit 1982, konflikt që zgjati 74 ditë dhe la të vrarë 655 ushtarë argjentinas, 255 ushtarë britanikë, si dhe tre banorë të ishujve.
Ishulli kontrollohet nga Londra, ndërsa në një referendum mbi 99 për qind e banorëve treguan dëshirën për të qëndruar nën administrim britanik. Kjo nuk është hera e parë që FIFA reagon ndaj një veprimi të tillë. Në vitin 2014, Federata Argjentinase e Futbollit u gjobit me 20 mijë euro pasi futbollistët shfaqën të njëjtën pankartë para një ndeshjeje miqësore kundër Sllovenisë.
Atëherë, FIFA vlerësoi se veprimi përbënte shkelje të rregullave që ndalojnë mesazhet politike në futboll.
