Rreth 2 mijë vende të lira në UP, disa programe nuk plotësuan kuotat

0%

Universiteti i Prishtinës ka ende rreth 2 mijë vende të lira pas përfundimit të fazës së parë të pranimit të studentëve të rinj në nivelin baçelor. Sipas të dhënave nga UP, këtë vit kanë aplikuar rreth 7 mijë e 100 kandidatë për afërsisht 5 mijë e 600 vende të parapara, por disa programe studimore nuk kanë arritur t’i plotësojnë kuotat e tyre.

Lista e programeve ku kanë mbetur vende të lira pritet të publikohet së shpejti, ndërsa kandidatëve do t’u ofrohet mundësia që të aplikojnë në programe të tjera ku ka kapacitete të lira.

Prorektorja për Cilësi dhe Çështje Studentore në UP, Majlinda Zhitija-Gjelaj, ka bërë të ditur se studentët që nuk janë pranuar në programin e parë të zgjedhur do të kenë mundësi të orientohen drejt programeve të ngjashme. “Ka mundësi të dytë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Studentët të cilët nuk janë pranuar në një program të caktuar ku kanë prirje dhe afinitet, mund të drejtohen në një program tjetër të ngjashëm brenda njësive akademike ose edhe në njësi të tjera”, ka deklaruar ajo. Ndërkohë, në nivelin master, shumica e programeve kanë arritur t’i plotësojnë kuotat e përcaktuara.

Këtë vit, UP kishte rezervuar për herë të parë kuota të veçanta për mërgatën shqiptare, arbëreshët e Italisë dhe Zarës, si dhe për shqiptarët që jetojnë në Turqi. Për këto vende kanë aplikuar rreth 14 kandidatë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa katër prej tyre janë pranuar.

Sipas UP-së, programet studimore janë rishikuar gjatë procesit të riakreditimit dhe janë përshtatur me kërkesat e tregut të punës, me fokus të veçantë në fushat teknologjike. Në mesin e programeve që kanë kaluar reforma është edhe Fakulteti i Inxhinierisë Kompjuterike, ku synohet që studentët të përgatiten më mirë për kërkesat e tregut vendor dhe ndërkombëtar të punës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com