Shkarkimin e Ministres Snezhana Paunoviq po e kërkon një pjesë e opozitës, ndërsa kërkesës i është bashkuar edhe deputeti i Partisë për Veprim Demokratik në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Reagime të ashpra po vijnë edhe nga Bashkimi Evropian, i cili thekson se “në Evropë nuk duhet të ketë vend për retorikë që arsyeton dhe promovon spastrimin etnik”.
Sipas BE-së, deklarata të tilla nuk janë në përputhje me detyrimet që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të dialogut me Kosovën, raporton DW.
Deputeti i Parlamentit Evropian, Sandro Gozi, deklaroi se “Serbia nuk mund të pretendojë në mënyrë bindëse se është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian ndërkohë që anëtarë të qeverisë së saj ringjallin retorikën dhe ideologjinë e epokës së Millosheviqit”.
Politikanë nga Shqipëria dhe Kosova e shohin këtë retorikë si konfirmim të vazhdimit të politikës së Sllobodan Millosheviqit. Paunoviq u shpall person non grata në Kosovë.
Ministrja “nuk heq dorë nga strategjia e partisë së saj” Qeveria e Serbisë nuk është prononcuar, por kjo është praktikë e zakonshme kur Presidenti Alleksandar Vuçiq ndodhet jashtë vendit, pasi qëndrimi zyrtar zakonisht bëhet i ditur vetëm pas reagimit të tij.
Megjithatë, është e sigurt se një lloj i tillë retorike dhe gjuhe urrejtjeje pothuajse kurrë nuk është dënuar publikisht në Serbi, ndërsa promovuesit e saj shpesh kanë avancuar në karrierën politike.
Pas reagimeve të forta, Snezhana Paunoviq publikoi një deklaratë ku, në vend që të distancohej nga fjalët e saj, shkroi se “nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë, e cila e udhëhoqi Serbinë në rrethana historike jashtëzakonisht të vështira; një parti që bëri sakrifica të mëdha, emri i së cilës përmendej më së shumti në Hagë, një parti që nuk iu lut askujt për asgjë për të mbetur krenare dhe besnike ndaj ideve të veta.
Nuk heq dorë as nga strategjitë e partisë sime, të cilat u zgjodhën në rrethanat e kryengritjes së armatosur në një pjesë të shtëpisë që quhet Serbi”. Thanë publikisht atë që mendojnë fshehurazi Një pjesë e opinionit publik në Serbi beson se deklarata të tilla synojnë të largojnë vëmendjen nga ngjarje të tjera.
Por Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike, thotë se kjo deklaratë është “thjesht pasqyrim i kapacitetit të ministres në paraqitjet publike” dhe se “ajo vetëm e tha publikisht atë që shumica në pushtet mendojnë”. “Ata shprehin në fakt keqardhje që nuk ndodhi spastrimi etnik, ndërsa e dimë se partia e saj, SPS, u përpoq të kryente spastrim etnik në Kosovë.
Përveç kësaj, pati vrasje masive të shqiptarëve të Kosovës dhe për këtë arsye e gjithë elita ushtarake dhe policore jugosllave e serbe u dënua në Tribunalin e Hagës. Kemi ardhur në situatën që ministrat lavdërojnë krimet më të rënda, gjë që diku tjetër do të shkaktonte tronditje tektonike, por në Serbi do të jetë lajm vetëm për disa ditë”, vlerësoi Popoviq për DW.
Daçiq relativizon gjuhën e urrejtjes Në mbrojtje të koleges së partisë së tij doli Zëvendëskryeministri dhe kryetari i SPS-së, Ivica Daçiq. Ai i quajti sulmet ndaj ministres hipokrite dhe shtoi se “në Kosovë është kryer spastrim etnik ndaj serbëve”, por se kjo “nuk i intereson askujt”.
Sipas Dragan Popoviqit, “kjo është vetëm dëshmi se spastrimi etnik i kryer nga Millosheviqi nuk paraqet problem për askënd dhe se asnjë spastrim i ri etnik nuk do të ishte problem. Problem bëhet vetëm kur kjo thuhet publikisht, e më pas fillon relativizimi i asaj që është thënë”.
“Nëse për ministren Paunoviq mund të thuhet se nuk ka përvojë të mjaftueshme politike dhe se e tha sinqerisht atë që zakonisht nuk thuhet, kjo nuk mund të thuhet për Ivica Daçiqin. Ai ka një përvojë të gjatë. Prandaj mendoj se deklarata e tij është edhe më e rrezikshme”, shprehet Popoviq.
Lavdërimi i politikës së viteve ’90 Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve serbe për të fshehur natyrën e tyre të vërtetë, fakt është që gjuha e urrejtjes në hapësirën publike kultivohet shumë dhe shoqërohet gjithnjë e më shpesh edhe me dhunë fizike.
Kjo ishte veçanërisht e dukshme gjatë ditëve të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës në korrik, ndërsa deklaratat e ministres Paunoviq u përshtatën me narrativën e përbashkët të pushtetit sa i përket përballjes me të kaluarën, krimet e luftës dhe marrëdhëniet rajonale.
Popoviq vlerëson se e gjithë kjo tregon se “jo vetëm që nuk është bërë distancim nga politika e viteve ’90, por ajo politikë madje po glorifikohet. Partia Progresive Serbe e Vuçiqit dhe SPS e Daçiqit po vazhdojnë politikën e radikalëve dhe socialistëve nga vitet ’90-të, vetëm në rrethana të ndryshuara.
Kemi një radikalizim të diskursit publik dhe një shoqëri në prag të shpërthimit të dhunës, si verbale ashtu edhe fizike. Këto dalje të tilla janë pasojë radikalizimi të përgjithshëm të shoqërisë. Këto janë pasojat e politikës së Vuçiqit dhe të gjithë koalicionit të tij”, paralajmëron drejtori i Qendrës për Politikë Praktike. Reagime kanë ardhur edhe nga Bashkimi Evropian.
Duke pasur parasysh se javët e fundit është diskutuar hapja e Klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit të Serbisë dhe se Komisioni Evropian është përpjekur të vlerësojë një lloj përparimi të Serbisë, retorika e ministres Paunoviq ka rikthyer vëmendjen te realiteti – se pushteti aktual trashëgon politikën e Sllobodan Millosheviqit, të përforcuar me vizionet politike të Vojisllav Sheshelit, dhe nuk ka asnjë problem me barrën e rëndë të së kaluarës.
Popoviq mendon se “Komisioni Evropian, me kalimin e kohës, do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të ruajë këtë qasje realpolitike, ku përpiqet me çdo kusht ta mbajë Serbinë në rrugën evropiane, ndonëse kjo qeveri prej kohësh është larguar nga ajo rrugë.
Ndoshta nuk është e lehtë as për njerëzit në Komision të vazhdojnë të mbyllin sytë, sepse pushteti i Alleksandar Vuçiqit po bëhet gjithnjë e më problematik. Vijat e kuqe duhej të ishin vendosur shumë kohë më parë, sepse Vuçiqi i ka kaluar të gjitha ato linja. Nuk e di edhe sa gjatë mund të mbahet ky qëndrim ndaj pushtetit të tij”.
Ideologjia e hapjes së plagëve Traumat e luftërave të humbura duket se vazhdojnë të jenë një temë përmes së cilës fitohen pikë politike në Serbi. Sipas Popoviqit, “ky kapitull nuk është mbyllur kurrë. Ideologjia nacionaliste pikërisht këtë bën – gërmon vazhdimisht në plagë dhe përhap bindjen se rreziku ende nuk ka kaluar”.
“Fatkeqësisht, pushteti i tanishëm ka mundësinë të mobilizojë shoqërinë mbi baza shumë të rrezikshme. Mendoj se kjo nuk është ende shenja përfundimtare e kthimit në vitet ’90 – është vetëm një sinjal i fortë që na kujton se kush ishin aktorët e politikës së asaj kohe. Janë të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet”, përfundon Popoviq për DW. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
