Gjashtë pozita të kandidatëve të propozuar për avancim apo emërim në Universitetin e Prishtinës u votuan në mbledhjen e Senatit më që të kthehen për shqyrtim në njësitë akademike. Kurse, një prej tyre u pezullua për shkak se u tha se kandidati i propozuar për pozitën e caktuar është i denoncuar në Këshillin e Etikës të UP-së.
Dhe dy raste janë shtyrë për mbledhjen e radhës të Senatit të UP-së pasi u kërkua të sqarohen propozimet. Në mesin e propozimeve për emërim në asistent dhe avancimeve në profesor të asociuar apo profesor të rregullt që u shqyrtuan në Senat ishin nga Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Arteve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Fakulteti Filozofik Senati ka miratuar avancimet në profesor asistent të kandidatëve nga Fakulteti Filozofik: Labinot Kelmendi, Rita Selimi, Artan Krasniqi, Ilir Culaj. Kurse, Artan Mustafa nga konkursi i jashtëm, publik, në Fakultetin Filozofik është miratuar të emërohet profesor asistent.
Për këtë pozitë, rektori Arben Hajrullahu e kishte marrë miratimin e Senatit për krijimin e një komisioni me profesorë ndërkombëtarë, pra jo të Fakultetit. Për votimin e Mustafës rektori Hajrullahu i kërkoi dekanit Bekim Baliqi që ta lironte sallën ku mbahej mbledhja, i cili edhe e liroi.
Për pozitën numër 6 të konkursit në Fakultetin Filozofik, prorektori Adem Beha tha se nuk kanë propozuar ndonjë kandidat Këshilli i Fakultetit, andaj Trupa Këshilldhënëse e rektorit ka rekomanduar që të kthehet për rishqyrtim në Fakultet. Kjo u miratua. Kandidatët që u zgjodhën asistentë janë: Nehat Sadiku, Edin Lahi, Agnesa Haxhiu, Bleona Kurteshi, Nardi Gjata dhe Butrint Berisha.
Kurse, pozita e asistentit në të cilën janë propozuar kandidatët Mjedra Bajraktari-Deva dhe Lum Zharku u votua të kthehet për rishqyrtim në Fakultet Filozofik. Në rastin e Bajraktari-Devës, prorektori Beha tha se kanë propozuar që të bëhet rivlerësimi i pikëve sipas Rregullores për emërim të personelit akademik në UP.
Kurse, tek ai i Zharkut thanë se është pranuar një ankesë e kundërkandidatit. E po ashtu pozita 13 u votua të kthehet për rishqyrtim në Fakultet pasi Beha tha se nuk ka ende raport recensues për këtë pozitë.
Në rastin e profesorit Fitim Uka, që ka aplikuar për avancim në profesor të asociuar, Senati ka vendosur që të trajtohet në një mbledhje tjetër, me arsyetimin se do ta sqarojnë çështjen e autorësisë së parë të ndarë në punime të publikuara në revista, të cilat njohin edhe dy autorë të parë.
Fakulteti i Edukimit Në këtë Fakultet kishte vetëm një propozim për avancim dhe ai ishte për kandidatin Besim Gallopeni, i cili u votua për pozitën profesor asistent. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike Hyrmet Mydyti u votua të emërohet profesor asistent, kurse Fatim Koda në asistent.
Fakulteti Juridik Kandidatët për asistentë që u votuan për Fakultetin Juridik janë: Shqipe Çarkani, Edita Kryeziu, Lirik Veselaj, Dorant Haxhidauti, Lea Meraku, Rreze Hoxha, Medinë Millaku dhe Egzona Kozhani.
Fakulteti i Arteve Në Fakultetin e Arteve u votua të kthehet për rishqyrtim pozita për profesor të rregullt, në të cilën është propozuar Agnesa Muharremi, pasi prorektori Beha tha se Trupa Këshilldhënëse e rektorit për Fakultetin e Arteve ka dhënë këtë propozim.
Kurse, për një pozitë tjetër të profesorit të rregullt rektori Arben Hajrullahu vendosi që të pezullohet pasi diskutuan me dekanin Hazir Haziri se kandidati i propozuar për këtë pozitë është denoncuar në Këshill të Etikës për shkelje të rënda. “Procedura pezullohet, pra pritet rezultati [nga Këshilli i Etikës], pastaj vazhdohet procesi i avancimit” – tha Hajrullahu.
Kreshnik Aliçkaj u votua të avancohet në profesor i rregullt. Kurse, Rrezeart Galica u avancua në profesor të asociuar. Galica ka qenë anëtar në Këshillin e Etikës të UP-së. Kandidimi i Drilon Çoçajt për profesor të asociuar u votua të kthehet për rishqyrtim në Fakultet. Ky u tha se ishte edhe propozimi i Trupës Këshilldhënëse të rektorit.
Korab Shaqiri u votua të emërohet në profesor asistent. Kurse, te kandidati Festim Fanaj për profesor asistent, prorektori Beha tha se Trupa Këshilldhënëse e Fakultetit të Arteve ka propozuar që të krijohet një komision i ri profesional. Dekani Hazir Haziri kërkoi të arsyetohet krijimi i komisionit në këtë rast duke deklaruar se të gjitha procedurat janë kryer dhe janë në rregull.
Pasi Beha i tha se kundërkandidati ka pretendime për fushën përkatëse, që u përmend se i përket violinës, Haziri tha “konsideroj që propozimi nuk ka arsyetim për me ba komision sepse gjitha procedurat janë shterur. Pra, gjithçka është në rregull.” “Këtu nuk ka diçka kontestuese” – shtoi Haziri.
Haziri ka shpjeguar se në këtë rast ka pasur ndarje të mendimit në vlerësimin e kandidatit në komision vlerësues. “Njëra anëtare ka propozu kandidatin Festim Fanaj, Këshilli i Fakultetit e ka kthy me ankesë edhe njëherë në rishqyrtim edhe i është thënë komisionit vlerësues që të mblidhen, ta trajtojnë. Edhe për herën e dytë është konstatu që ka gabime në raportin e dy profesorëve…
Këshilli i ka hedhur në votim edhe ka votu recensionin e profesoreshës, e cila është dërgu tutje… Këtu nuk ka diçka kontestuese” – shtoi Haziri.
Pas debatit në mes menaxhmentit e dekanit dhe senatorit të Fakultetit të Arteve, Adem Rusinovci, rektori Hajrullahu e ka shtyrë këtë rast për mbledhjen e radhës të Senatit dhe tha se do t’i kërkojë sqarime Trupës Këshilldhënëse se pse kanë propozuar që të krijohet një komision i ri.
Kurse, për pozitën e asistentit që ka aplikuar Arton Behrami, prorektori Beha tha se profesionistë të fushës kanë pasur paqartësi dhe Këshilli i Fakultetit të Arteve nuk është mbledhur për rishqyrtim të këtij rasti, ani pse u tha se dekani Haziri e kishte thirrur mbledhjen.
Për këtë pozitë, rektori Hajrullahu propozoi formimin e komisionit vlerësues me anëtarët: Mehmet Behluli, Sabri Shaqiri dhe Rrezeart Galica. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë Xhavit Ramadani u votua të avancohet në profesor i rregullt për Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Avancimi i tij ishte kthyer për rishqyrtim në Fakultet në mbledhjen e Senatit më .
Në këtë mbledhje kishte propozime për avancim e emërim të personelit edhe nga Fakulteti Ekonomik, për të cilat KALLXO.com do të raportojë po ashtu. UP ka nisur procesin e avancimit të personelit akademik nga data duke aplikuar Rregulloren e re për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, avancimin dhe rizgjedhjen e personelit akademik në UP, të miratuar më .
Sipas nenit 156 të Statutit të UP-së, për profesor të asociuar kandidati duhet t’i plotësojë kushtet: të ketë gradën e doktorit të shkencës; të ketë një kapitull të zgjedhur të botuar në një tekst të botuar nga shtëpi botuese kredibile ndërkombëtare ose një libër për përdorim të studentëve ose monografi; të ketë të paktën tri punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore të publikuara pas emërimit në titullin aktual, si autori parë ose korrespondent, nga të cilat së paku një si autor i parë.
Për profesor të rregullt, kandidati duhet t’i ketë dy kushtet e para të profesorit të asociuar si dhe sipas nenit 157 të Statutit kushtet e tjera: katër punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore të publikuara pas emërimit në titullin paraprak, si autor i parë ose korrespondent, nga të cilat së paku dy si autor i parë; pjesëmarrje e rregullt në konferencat ndërkombëtare dhe kombëtare; mentorim i suksesshëm i së paku tri temave master.
