Deklaratat e fundit të ministrave në Qeverinë e Serbisë, Ivica Daçiq dhe Snezhana Paunoviq, lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, po rikthejnë në diskursin publik retorikën e viteve të nëntëdhjeta dhe mund të kenë për qëllim mobilizimin e elektoratit tradicional të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), vlerëson psikologu social serb, Dragan Popadiq.
Në një intervistë për gazetën Nova, Popadiq tha se deklaratat e zyrtarëve të SPS-së janë të dëmshme për reputacionin ndërkombëtar të Serbisë dhe se është e vështirë të gjendet një shpjegim racional për to. “Nuk e kam të qartë pse dikush do të bënte një deklaratë të tillë. Është padyshim e dëmshme dhe e gabuar.
Për mua, deklarata të tilla janë rezultat i urrejtjes irracionale ndaj një grupi dhe jo i një mesazhi politik të menduar mirë”, tha ai. Sipas Popadiqit, megjithatë, është e mundur që një retorikë e tillë të synojë një pjesë të elektoratit.
“Është e mundur që disa votues ta kenë parë si një deklaratë pozitive dhe të guximshme”, u shpreh ai, duke shtuar se ndikimi më i madh i këtyre deklaratave është dëmi që ato shkaktojnë në opinionin publik dhe në imazhin e Serbisë.
Debati u nxit pas deklaratës së Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila më 11 korrik deklaroi se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”. Deklarata shkaktoi reagime të menjëhershme nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian tha se “nuk duhet të ketë vend në Evropë për retorikë që justifikon dhe mbështet spastrimin etnik”, ndërsa një pjesë e opozitës serbe dhe organizatave të shoqërisë civile kërkuan shkarkimin e ministres. Kryeministri serb, Đuro Macut, nuk ka komentuar publikisht kërkesat për shkarkimin e saj.
Në mbrojtje të Paunoviqit doli lideri i SPS-së dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, i cili i quajti kritikat “hipokrite”, duke pretenduar se spastrimi etnik është kryer ndaj serbëve në Kosovë.
Megjithatë, nënkryetari i Bordit Kryesor të SPS-së, Branko Ruzhiq, u distancua nga deklarata e Paunoviqit, duke theksuar se politika e spastrimit etnik nuk ka qenë kurrë politikë e Partisë Socialiste të Serbisë.
Sipas Popadiqit, nuk përjashtohet mundësia që retorika e tillë të lidhet me përpjekjet e SPS-së për të rikthyer mbështetjen e elektoratit tradicional, në një kohë kur partia përballet me rënie të vazhdueshme të popullaritetit dhe, sipas disa sondazheve, do ta kishte të vështirë të siguronte mbështetje të mjaftueshme pa aleancën me Partinë Progresive Serbe (SNS).
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës i kanë ndaluar përgjithmonë hyrjen në territorin e Kosovës Snezhana Paunoviqit, duke e shpallur atë edhe persona non grata. Vendimi është marrë nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Reagim pati edhe nga studentët protestues në Serbi, të cilët deklaruan se çdo fjalim që justifikon spastrimin etnik nuk ka vend në një Serbi demokratike dhe duhet të dënohet pa asnjë relativizim apo standard të dyfishtë.
