Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë u përmbys pranë ishullit Alcatraz, në Gjirin e San Franciskos. Departamenti i Zjarrfikësve të San Franciskos njoftoi se mori një alarm për një anije në vështirësi, rreth 600 jardë larg ishullit të famshëm. Ekipet e shpëtimit që mbërritën të parat gjetën një burrë në ujë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai u shpall i vdekur pasi u nxor në breg. Sipas autoriteteve, në bordin e varkës ndodheshin rreth 20 persona, kryesisht anëtarë të një familjeje, të cilët po merrnin pjesë në një shërbim përkujtimor. Varka me tre kuverta, e identifikuar si “Volare”, ishte rreth 15 metra e gjatë.
Tre persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në një spital lokal, ku ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Ndërkohë, 13 persona u shpëtuan pa lëndime dhe u kthyen në breg. Operacioni i kërkim-shpëtimit nga Departamenti i Zjarrfikësve të San Franciskos dhe Roja Bregdetare amerikane vijon për gjetjen e tre personave të zhdukur.
Fillimisht autoritetet kishin marrë një raport për një anije në flakë, por më pas dëshmitarët thanë se varka ishte përfshirë nga probleme për shkak të detit të trazuar, kishte nisur të merrte ujë dhe më pas ishte përmbysur.
