Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka ndërmarrë një lëvizje drastike në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës ndaj Anglisë, e cila do të zhvillohet të mërkurën në Atlanta. Scaloni dhe Argjentina janë vetëm një fitore larg finales së dytë radhazi të Kupës së Botës, ndërsa synojnë t’i sjellin “La Albicelestes” yllin e katërt.
Kampionët në fuqi të botës siguruan kualifikimin pas kohës shtesë në dy ndeshje të fazës me eliminim direkt, kundër Kepit të Gjelbër dhe Zvicrës, ndërsa ndaj Egjiptit përmbysën rezultatin me tre gola brenda 13 minutave në fazën e 1/8 së finales.
Tashmë përballë kanë testin më të vështirë deri tani, Anglinë, në stadiumin “Mercedes-Benz”, dhe duket se Scaloni po shqyrton ndryshimin e skemës së lojës për këtë sfidë. Argjentina është mbështetur kryesisht te momentet individuale të Lionel Messit, golashënuesit më të mirë në historinë e Kupës së Botës.
Në moshën 39-vjeçare dhe në Botërorin e tij të gjashtë, Messi ka shënuar tetë gola në atë që pritet të jetë turneu i tij i fundit. Edhe Enzo Fernandez dhe Julian Alvarez kanë qenë vendimtarë në disa momente, por paraqitjet e Argjentinës nuk kanë qenë gjithmonë bindëse. Sipas gazetës argjentinase “Diario Olé”, Scaloni pritet të bëjë ndryshime në formacionin titullar.
Raportohet se trajneri ka testuar dy skema të reja në stërvitje dhe po mendon një qasje ndryshe për ndeshjen. Me një moshë mesatare prej 29 vitesh, skuadra argjentinase po i afrohet fundit të një cikli. Ekipit i mungojnë anësorët ofensivë, ndaj Scaloni ka përdorur katër mesfushorë qendrorë – Enzo Fernandez, Rodrigo De Paul, Alexis Mac Allister dhe Leandro Paredes.
Katërshja punon pa pushim për t’i krijuar Messit lirinë që të lëvizë në çdo zonë të fushës dhe të ndikojë në lojë. Legjenda e Barcelonës ka ecur në 47 për qind të distancës totale që ka përshkuar në këtë Botëror, por asnjë futbollist tjetër nuk ka shënuar më shumë gola se ai.
Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez kanë luajtur në sulm në skemën 4-4-2, por aktivizimi nga minuta e parë i Giuliano Simeones ose Thiago Almadës mund t’i japë ekipit një dimension tjetër. Opsione të tjera për formacionin janë edhe Nico Paz, Nico Gonzalez dhe Valentin Barco.
Përballja mes Argjentinës dhe Anglisë mbetet gjithmonë e ndezur edhe për shkak të historisë dhe rivalitetit të krijuar pas Luftës së Falklandit. Anglia fitoi takimin e fundit mes dy skuadrave me rezultatin 3-2 në një miqësore në vitin 2005, ndërsa triumfoi edhe në përballjen e Kupës së Botës 2002.
Dy humbjet e Argjentinës ndaj Anglisë në Kupën e Botës kanë ardhur kur ka luajtur me fanellën tradicionale bardhekaltër. Ndërkohë, dy fitoret ndaj anglezëve janë arritur kur Argjentina ka veshur fanellën blu të errët – në vitin 1986 me golin e famshëm “Dora e Zotit” të Diego Maradonës dhe në vitin 1998, kur David Beckham u përjashtua me karton të kuq pas incidentit me Diego Simeonen.
Duke u mbështetur te ky “ogur” pozitiv, Argjentina ka kërkuar nga FIFA lejen për të luajtur me fanellën mysafire dhe kërkesa është miratuar. Anglia, ndërkohë, do të zbresë në fushë e veshur e gjitha në të bardha.
I pyetur për besëtytninë që qëndron pas zgjedhjes së fanellave, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, tha: “Nëse do të kisha një besëtytni të tillë, do të bëja të njëjtën gjë, ndaj u jap merita Argjentinës. Nuk e dija këtë. Edhe unë kam rutinat e mia supersticioze. Mund t’i quani besëtytni ose thjesht rutina, por nuk do t’jua tregoj, sepse nëse i tregoj, nuk do të funksionojnë.
Kemi disa rutina që na mbajnë të qetë dhe të përqendruar gjatë ditës dhe ato nuk do të ndryshojnë. Këto gjëra janë krejt normale në sportin e nivelit më të lartë.:.
