14 vite, një Kupë Bote dhe një peng i madh. Didier Deschamps mbyll ciklin te Franca, me një epokë që lë pas një histori të mbushur me lavdi, emocione, trofe dhe shumë pikëpyetje. Ai ishte njeriu që e riktheu Francën në majën e botës, por edhe trajneri që nuk arriti ta shndërronte një brez të jashtëzakonshëm talentesh në një dinasti të pandalshme.
Nga triumfi në Rusi në vitin 2018 te lotët e Katarit dhe eliminimi i fundit nga Spanja, rrugëtimi i Deschamps ka qenë një përzierje mes madhështisë dhe zhgënjimit. Një Kupë Bote e fituar, finale të humbura, yje të gjeneratës së re dhe një pyetje që do të mbetet gjithmonë në historinë e futbollit francez. A arriti kjo skuadër të jepte gjithçka që premtonte?
Deschamps mori drejtimin e Francës në vitin 2012, në një moment kur kombëtarja kishte humbur identitetin dhe lidhjen me lavdinë e së kaluarës. Ai rindërtoi gjithçka nga fillimi, krijoi një grup konkurrues dhe solli në skenën botërore një brez lojtarësh që do të dominonin futbollin për vite me radhë. Por futbolli nuk matet vetëm me potencialin. Matet me trofe.
Dhe pikërisht këtu qëndron kontradikta e epokës Deschamps, një kombëtare me Mbappé, Griezmann, Pogba, Kanté, Benzema dhe shumë yje të tjerë, por që pas Kupës së Botës 2018 nuk arriti të fitonte aq sa pritej. Tani, pas 14 vitesh, historia e tij me Francën mbyllet aty ku nisi simbolikisht, përballë Spanjës.
Një humbje që shënon fundin e një cikli dhe hap derën për një kapitull të ri, me Zinedine Zidane si emrin e shumëpërfolur për të marrë drejtimin e “Les Bleus”. Deschamps largohet si një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë franceze, por edhe me një peng të madh, të mos ketë arritur ta kthejë një gjeneratë të artë në një epokë dominimi absolut.
