Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se Halil Thaçi, kryetar i Komunës së Obiliqit është intervistuar më në cilësinë e të pandehurit në lidhje me shpronësimet në fshatin Shipitullë. Pas daljes nga Prokuroria Speciale, Halil Thaçi i tha ndryshe gazetarëve, duke thënë se u intervistua si dëshmitar.
“Mund të konfirmojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”.”- ka thënë për Kallxo.com, Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Thaçi pasi që doli nga Prokuroria Speciale ka thënë se në Prokurori ishte për shpronësimet në fshatin Shipitullë. I pyetur se a është intervistuar si i dyshuar apo si dëshmitar, Thaçi para mediave tha se aty ishte si dëshmitar dhe se u pyet për çdo gjë, me ç’rast ka thënë se do i përgjigjet prokurorit.
Ai tha se është i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe ka kërkuar që Prokuroria të hetojë deri në fund këtë çështje.
“Është e vërtetë që unë kam biseduar me qytetarë, vazhdoj të bisedoj, do ta ngre çështjen e tyre, problemet e tyre sepse fshati Shipitullë e fshati Hade janë diskriminuar, janë anashkaluar dhe sigurisht që gjendja e tyre për jetë është e pamundur atje.” – ka deklaruar Thaçi.
Prokuroria Speciale e Kosovës në qershor të vitit 2025 kishte konfirmuar se po zhvillon hetime pas hulumtimit të KALLXO.com që shpërfaq ndërhyrjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Halil Thaçi në procesin e shpronësimit në fshatin Shipitullë të Obiliqit. Halil Thaçi për momentin është Kryetar i Komunës së Obiliqit.
Ky rast ishte dërguar fillimisht në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, që e ka deleguar rastin në Prokurorinë Speciale.
Në “Kallxo Përnime”, më , u transmetua një material në të cilin dëgjohet deputeti i Vetëvendosjes Halil Thaçi derisa u tregon disa banorëve se ai ka diskutuar me Kryeshefin e KEK-ut dhe Kryetarin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për të ndryshuar hartat e shpronësimeve. KPMM është institucion i pavarur dhe Vendimet e veta do të duhej t’i merrte sipas Ligjit.
Në materielin që e posedon KALLXO.com deputeti flet edhe për ndikimin në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe në KEK. “Qaj 1 hektar e 60 ari që është hy me u shpronësu qaty, qaj ka me ra edhe ka me ju shpronësu krejt juve. Unë sot kesh me këtë Drejtorin, Zëvendësdrejtorin. Të martën jam taku edhe me Bekirin. Na jemi tu e prit KPMM-në, që KPMM-ja me ia dhanë orientimin mihjes.
KPMM-ja del në vend të ngjarjes, e konstaton që qata banorë janë në rrezik, ja prej zhurmës, ja… Vijnë i këqyrin shpijat, qysh janë, ça e sene. KPMM-ja merr vendim që pa marrë parasysh a i duhet a s’i duhet mihjes duhet me i shpronësu. Në KPMM kryetari i Bordit del Basholli. Habib Basholli. Mbrëmë kam nejt me të. Dy orë mbrëmë kam nejtë me ta. Edhe unë në qet drejtim s’jam tu u ndal.
Na të mërkurën po mendojmë që kemi me emëru Bordin e KPMM-së. Si të emërohet Bordi i KPMM-së ata ia nisin sulm. Mos e keni gajle! Njerëzit tanë i kem (nuk kuptohet). Na e kemi shqyrtu edhe analizu, edhe me Drejtorin. E vetmja mundësi është me na dhanë KPMM-ja urdhër se KPMM-ja nuk jep këshilla.
KPMM-ja thotë “Urdhër e ki, për me marr licensën duhet qeta, qeta, qeta, qeshtu me e ba edhe ditën e mirë. Në KPMM i kemi njerëzit tanë. I shtyna do sene. S’kanë qare.” – ka deklaruar Thaçi. Përmes telefonit, Thaçi në vitin 2024 kishte thënë se me KEK-un është takuar por jo edhe me KPMM-në. Ai tha se takimet i ka pasur vetëm zyrtare.
“Jo, veç me KEK, por ku kam mund e kam ngrit zanin për ta. Se unë mendoj që i është bo diskriminim atyre banorëve, janë diskriminu sepse janë mbetë jashtë projektit të KEK-ut. Jo, jo s’jam taku unë me bordin e ri(të KPMM-së), ne veç i kemi votu në Kuvend të Republikës bordin e KPMM-së.
Unë absolut nuk e kam ditë as që bëhet Habibi, jo se unë veç zyrtarisht me institucione unë komunikoj” – deklaroi Thaçi.
