Drita është eliminuar nga kualifikimet për Ligën e Kampionëve, pasi u mposht në shtëpi nga skuadra lituaneze FK Kauno Žalgiris me rezultat 2-3 (3-4 në total). Në ndeshjen e kthimit të rundit të parë kualifikues, mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 9-të, por Drita reagoi dhe barazoi me Jasharin në minutën e 20-të.
Në pjesën e dytë, skuadra gjilanase kaloi në avantazh përmes Arb Manajt, i cili shënoi për 2-1 pas asistimit të Liridon Balajt. Megjithatë, Zalgirisi arriti të rikthehet në lojë. Vykintas Slivka barazoi rezultatin në minutën e 82-të, ndërsa në fund të ndeshjes Amine Benchaib realizoi nga penalltia për fitoren 3-2 të mysafirëve.
Me këtë rezultat, Drita i jep fund aventurës në Ligën e Kampionëve, por do të vazhdojë garën në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
